• e premte, 27 dhjetor 2024

Prokuroria turke i caktoi Palevskit burgim të përkohshëm prej 40 ditësh

Prokuroria turke i caktoi Palevskit burgim të përkohshëm prej 40 ditësh

Shkup, 29 dhjetor 2023 (MIA) - Të dyshuarit të parë në rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, Lupço Palevskit, i është caktuar burgim i përkohshëm në Institucionin e mbyllur ndëshkues-përmirësues Beliksir në Turqi, kumtoi sot Ministria e Drejtësisë.

"Në shkresën nga Prokuroria Publike Republikane Belikesir - Turqi informojnë se personi Lupço Palevski, i cili është arrestuar me urdhërarrest për veprën penale "vrasje me dashje të një fëmije", në pajtim me Ligjin 6706, neni 14, me qëllim për të siguruar ekstradimin e personit në vendin e caktuar (RMV), në përputhje me nenin 16 të Konventës Evropiane për Ekstradimin e Kriminelëve, i është caktuar burgim i përkohshëm për 40 ditë", theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Procedura për ekstradimin e Palevskit, siç informuan nga Ministria e Drejtësisë nga mesi i këtij muaji, do të zgjasë disa muaj.

"Nga dita e arrestimit kemi qenë në koordinim me SMPS-Interpol, si dhe me PTHP Shkup. Në orën 9:20 morëm njoftimin zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe hapëm lëndë. Kërkesa për ekstradim ishte gati, ministri e firmosi dhe u përkthye po atë ditë. Para se ta bëjmë këtë, kemi kërkuar që të ndalohet menjëherë për ekstradim", deklaroi Sektori për ndihmë juridike ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë në mes të dhjetorit.

Palevski u kap në Turqi pasi ndaj tij u lëshua një urdhërarrest ndërkombëtar.

Hetimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes filloi në fillim të këtij muaji dhe në të, përveç Palevskit, i cili dyshohet për veprat penale “rrëmbim” dhe “vrasje në mënyrë brutale”, për bashkëekzekutim akuzohen edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Bore Videvski, të cilët ndodhen në paraburgim në Shkup. Në paraburgim janë edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin, duke ndarë informacione me të dyshuarit e tjerë për lëvizjet e vajzës së tij, siç thanë autoritetet në atë kohë, dhe Stefan Dimkovski, shoferi që e ka çuar nga Serbia në Turqia të dyshuarin e parë Palevski.

Minorenja Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR