• e martë, 24 dhjetor 2024

Prokuroria propozoi masa për sigurimin e dy të dyshuarve për keqpërdorim në Lotarinë shtetërore

Prokuroria propozoi masa për sigurimin e dy të dyshuarve për keqpërdorim në Lotarinë shtetërore

Shkup, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Prokurori kompetent publik deri te gjyqtari në procedurë paraprake nga Gjykata penale themelore Shkup, do të dorëzojë propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për ish-drejtorin e përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore dhe ish-zëvendës kryeministrit, dy të dyshuarit në lidhje me hetimin për keqpërdorim në Lotarinë Shtetërore, me qëllim që, siç njoftoi sonte Prokuroria, të fillojnë zbatimin e masës së paraburgimit menjëherë pas gjetjes së tyre dhe privimin nga liria.

Prokurori publik nga Prokuroria themelore publike Shkup sot ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër dy personave, të cilët dyshohet se si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale  “keqpërdorim në shërbim”, ndërsa edhe katër persona të tjerë janë akuzuar për veprën penale “shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

Siç njofton Prokuroria Publike, me kallëzim penal, të paraqitur nga MPB-ja dhe Drejtoria e policisë financiare, janë ndërmarrë disa veprime. Në bazë të provave të mbledhura, ekziston dyshimi i bazuar se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në SHA Shoqata për organizimin e lojërave me fat "Lotaria shtetërore", në vitin 2023, përmes kryerjes së autorizimeve dhe detyrave të posaçme, së bashku kanë marrë pjesë në veprimet e kryerjes së dëmit ndaj shoqërisë aksionare me qëllim të përfitimit pronësor kundërligjor për tjetër person, që llogaritet në shumë të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare.

"i dyshuari i parë, kryetari i Bordit Drejtues - drejtori i përgjithshëm i 'Lotarisë Shtetërore' i dorëzoi në mënyrë elektronike Qeverisë informacion në cilësinë e Kuvendit të aksionarëve të Shoqërisë për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur elektronik të lojërave të  fatit, që u propozua për zbatimin e një procedure për prokurimin e terminaleve VLT dhe zbatimin e tyre. Vlera e përllogaritur e një blerjeje të tillë ishte 42 për qind e vlerës kontabël të kompanisë, e përcaktuar nga raportet e fundit financiare, respektivisht bëhet fjalë për një biznes të madh, për të cilën, sipas ligjit, është paraparë procedurë për miratim nga Këshilli administrativ dhe mbikëqyrës i “Lotarisë Shtetërore” e jo nga Kuvendi i aksionarëve", thuhet në njoftim.

Propozimi, siç thuhet, është dhënë edhe pse i dyshuari e ka ditur se blerja ka qenë e panevojshme, pasi SH.A. "Lotaria Shtetërore" sipas Ligjit për Lojërat e fatit, nuk ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike të fatit në territorin e vendit, pasi që në vitin 2013 atë të drejtë e ka investuar në Videolotarinë shtetërore - "Kasinos Austria" SHPK Shkup, si kontribut jomonetar në vlerë prej 6.244.898 euro për të cilat "Lotaria Shtetërore" fitoi një pjesë prej 51 për qind në kapitalin aksionar të shoqërisë së formuar me “Kasinos Austria”.

I dyshuari i dytë, siç thuhet, edhe pse e dinte se kërkesa për prokurimin konkret publik ishte në kundërshtim me ligjin dhe se “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e vendit, më 6 qershor 2023, si zëvendës kryeministër, kryesoi një seancë të Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të shoqërisë aksionare, pavarësisht se ishte në dijeni se asambleja aksionare nuk ka kompetencë të vendosë për marrëveshjen konkrete.

"Në seancë u miratua informata dhe 'Lotaria Shtetërore' ka qenë e obliguar t'i ndërmerr aktivitetet për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe marrjen e terminaleve të nevojshme të videolotarisë. Pastaj i dyshuari i parë ka marrë vendimet e nevojshme, janë kryer prokurimet publike dhe janë lidhur kontrata, me të cilat është marrë obligim me vlerë të përgjithshme prej 501.319.119 denarë për blerjen e terminaleve për videolotari, të cilat në pajtim me ligjin, nuk mund të shfrytëzohen për organizimin e lojërave elektronike të fatit. Edhe krahas blerjes, ato asnjëherë nuk u vendosën në përdorim", thuhet në deklaratë. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR