• e enjte, 26 dhjetor 2024

Prokuroria kërkon dënim më rigoroz për të gjithë të akuzuarit në rastin "Llaskarca"

Prokuroria kërkon dënim më rigoroz për të gjithë të akuzuarit në rastin

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Prokurori publik Darko Jakimovski sot në fjalën e tij përfundimitare kërkoi dënimin më rigoroz për të akuzuarit në rastin me aksidentin në Llaskarcë. Sipas tij, ka pasur pakujdesi në veprimet e të gjithë të akuzuarve dhe ishte vetëm çështje kohe se në çfarë baze, siç tha ai "kaosi i punës mund të kishte sjellë pasoja të tilla apo të ngjashme".

Në fjalët përfundimtare prokurori theksoi se dëshmitë e nxjerra gjatë debatit, jashtë dyshimit të arsyeshëm tregojnë se veprimet e të gjithë të akuzuarve janë në lidhje të drejtpërdrejtë me pasojën e cila rezultoi me 16 persona të vdekur. 

Prokurori potencoi se te të gjithë të akuzuarit ka ekzistuar pakujdesi në veprimet e tyre. 

"Ishte vetëm çështje kohe se në çfarë baze kaosi i punës mund të rezultonte me pasoja të tilla apo të ngjashme", tha prokurori.

- Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup prokurori publik Darko Jakimovski sot filloi me fjalët përfundimitare në lidhje me rastin

Sipas tij, të gjithë kishin detyrim juridik që të pengojnë që të mos arrihet deri te kjo pasojë dhe theksoi se vlerëson se nuk bëhet fjalë për mendjelehtësi sepse, siç tha, pasojat e dëmshme kanë mundur që t'i parandalonin. 

"Propozoj që të akuzuarit të sanksionohen shumë rëndë për veprat për të cilat akuzohen. Bëhet fjalë për pasoja veçanërisht të rënda, disa nga të dëmtuarit do të jetojnë me ato trauma tërë jetën", theksoi prokurori. 

Ai tha se ka një shkallë të jashtëzakonshme të përgjegjësisë tek secili nga të akuzuarit, sjelljen e tyre pas veprës penale e vlerësoi si jo të papërfillshme, ndërsa qëndrimi i të akuzuarve gjatë procedurës tha se ishte i respektueshëm.

"Duhet që secili të matet sipas asaj që meriton, duke pasur parasysh cilësitë që i kanë pasur gjatë punës së tij”, theksoi Jakimovski.

Kërkoi që të gjithë të akuzuarve tu ndalohet kryerja e profesionit.

"Të akuzuarve nuk duhet tu lejohet të merren me gjëra të tilla në të ardhmen. Tu shqiptoni ndalesë të ushtrimit të profesionit të tyre dhe të mos lejoni që asnjëri prej tyre të ketë kontakt me komunikacionin në asnjë aspekt", tha prokurori, i cili shtoi se autobusi duhet të sekuestrohet si objekt për kryerjen e veprës penale.

Prokurori publik theksoi se pret drejtësi të vërtetë, siç tha, jo vetëm sepse këtë e vërtetojnë dëshmitë, por sepse e meritojnë viktimat, të dëmtuarit, qytetarët dhe të gjithë në procedurë.

Të autorizuarit e të dëmtuarve u pajtuan me fjalën përfundimtare të prokurorit publik, kërkuan aktgjykim.

Pas pauzës, debati do të vazhdojë me fjalët përfundimtare të mbrojtes së të akuzuarve.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, që ka ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo Turs", personi përgjegjës për transportin në kompaninë, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski. 

Sipas nenit 300 paragrafi 2 i Kodit Penal, për të cilin akuzohen të akuzuarit, dënimi me burg është më së paku katër vjet. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR