• e enjte, 26 dhjetor 2024

Prokuroria e Korçës kërkon nga autoritetet e RMV-së bashkëpunim në hetimin e një vrasjeje të dyfishtë

Prokuroria e Korçës kërkon nga autoritetet e RMV-së bashkëpunim në hetimin e një vrasjeje të dyfishtë

Dibër, 10 prill 2024 (MIA) - Prokuroria e Korçës, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Martin dhe Andrea Oldashi, po zgjeron hetimet edhe në Maqedoninë e Veriut, njoftuan mediat shqiptare.

"Prokuroria i ka dërguar shkresë Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në lidhje me kontrollin e personit Flamur Dauti, i arrestuar për drogë në një fshat afër Prilepit, të këtij vendi. Konkretisht, autoriteteve atje po u kërkohet të lejojnë marrjen në pyetje të të burgosurit Dauti, me të cilin viktimat kishin kontakte. Një përgjigje pozitive nga autoritetet e RMV-së do të ndihmonte drejtësinë në hetimin e vrasjes së dyfishtë, për të cilën ende nuk ka autorë", theksojnë mediat.

Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në dhjetor të vitit 2020 në fshatin Shqitas, komuna e Maliqit dhe sipas hetimeve, pas ekzekutimit të dy vëllezërve, trupat e tyre janë hedhur në një kanal vaditës.

Sipas informacioneve, vëllezërit Oldashi janë rrëmbyer dhe më pas janë vrarë me dy plumba në pjesën e kokës.

-Përmes njohurive operative u mësua se dy vëllezërit Martin dhe Andrea Oldashi kryenin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, vjedhjes dhe shkatërrimit të pronave me lëndë shpërthyese, si dhe asistencë në kalimin e paligjshëm të kufirit. Ka bazë dyshimi se të vrarët dhe Dauti kanë bashkëpunuar së bashku në kontrabandën e drogës", theksojnë mediat.

Dauti me 53 kilogramë marijuanë, të cilën e importonte nga Shqipëria, u arrestua nga policia e RMV-së mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020, kur siç vërtetohet nga autopsia, në Shqipëri u vranë vëllezërit Oldash. ls/ 

Foto: Prokuroria/ ueb Korça

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR