• e premte, 27 dhjetor 2024

Prokurori Abazi në takim me kryeprokurorin e Kosovës, Blerim Isufaj

Prokurori Abazi në takim me kryeprokurorin e Kosovës, Blerim Isufaj

Shkup, 30 gusht 2023 (MIA) - Prokurori Publik Themelor Islam Abazi ka takuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

Në takim, siç njoftoi Prokuroria Publike, dy prokurorët diskutuan për organizimin dhe funksionimin e dy prokurorive dhe kompetencat e tyre, si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe nevojën e forcimit dhe thellimit në interes të sundimit të ligjit në rajon.

"Në shumë raste kemi një praktikë të komunikimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet prokurorive të vendeve fqinje dhe vendeve të BE-së, të gjitha me synimin për marrjen e provave, përshpejtimin e procedurave për ndihmën juridike ndërkombëtare, si dhe kryerjen e hetimeve të përbashkëta. Ky bashkëpunim është gjithmonë në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe rregulloret e së drejtës ndërkombëtare. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe përpiqemi t'u dalim në ndihmë vendet kërkuese, me qëllim që autorët e krimeve për të cilët udhëhiqet hetim të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara. Jam i bindur se ky takim do të kontribuojë në thellimin e një bashkëpunimi të tillë të drejtpërdrejtë me prokurorinë tuaj dhe në të ardhmen bashkërisht do të arrijmë rezultate të dukshme, me të cilat do të mund të mburremi së bashku", tha Abazi.

Prokurorja publike Natasha Pop Trajkova, e cila është pjesë e delegacionit, prezantoi rolin e Njësisë Kombëtare për Ndalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Kontrabandës me Emigrantë, me të cilën udhëheq.

"Në periudhën e ardhshme do të bëhen përpjekje për të siguruar zbatimin efektiv të hetimeve proaktive penale për trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën e migrantëve dhe bazuar në inteligjencën kriminale dhe profilizimin kriminal, për të identifikuar grupet e organizuara kriminale dhe autorët, duke ofruar prova të vlefshme për të gjithë të përfshirët. Ne do të punojmë për realizimin e masave dhe aktiviteteve të Strategjisë Kombëtare në përputhje me Planin e Veprimit dhe do të punojmë për dukshmërinë dhe ndërtimin e besimit në Njësinë Kombëtare, që është një nga mundësitë për uljen e numrit të zi të viktimave. Nga shtatori nis një projekt i ri që synon pikërisht këtë fushë dhe ne kemi mundësinë të marrim pjesë drejtpërdrejt në krijimin e aktiviteteve të projektit dhe shpresojmë që të arrijmë të bëjmë të paktën një pjesë të asaj që imagjinojmë dhe mbi të gjitha të eksplorojmë rrugën për qëndrueshmërinë e aktiviteteve që kanë të bëjnë me tregtinë me njerëz dhe kontrabandimin e migrantëve", tha Pop Trajkova.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi, si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nikolas Abot, i cili theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve efektive dhe të pavarura është element kyç për përfundimin e ciklit të krimit dhe korrupsionit. sa/

Фото: Јавно обвинителство на РСМ

QËNDRONI TË LIDHUR