• e enjte, 26 dhjetor 2024

Problemi me Sllupçanin është tejkaluar, kush nuk i ka paguar faturat, do të uhet t'i paguajë, thotë Kovaçevski

Problemi me Sllupçanin është tejkaluar, kush nuk i ka paguar faturat, do të uhet t'i paguajë, thotë Kovaçevski

Sveti Nikole, 7 korrik 2023 (MIA) - Problemi me Sllupçanin është tejkaluar. Ekipe të EVN-së do të bëjnë ekspertizë, kush nuk i ka paguar faturat do të duhet të paguajë, pasi askush nuk është i obliguar që dikujt tjetër t'ia paguajë energjinë elektrike, thotë kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Ai, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se nuk bëhet fjalë për mungesë të kontrollit nga ana e institucioneve shtetërore, por bëhet fjalë për zbatimin e punës së EVN-së, e cila është kompani private.

"Nuk bëhet fjalë për qasje të institucioneve shtetërore, por bëhet fjalë për zbatimin e punës së kompanisë private. EVN është kompani private, e cila është investim i drejtpërdrejtë i huaj në shtet dhe i cili ka obligim të furnizojë me energji elektrike çdo familje në shtet dhe deri te konsumatorët e vegjël si furnizues universal. Duke marrë parasysh atë se vendi i përmendur ka pasur problem me pagesën, dhe me kyçjen ilegale në rrjetin elektroenergjetik, kompania së bashku me institucionet kompetente, ndërsa Ministria e Ekonomisë është kompetente në pjesën e energjetikës, kanë pasur biseda me kryetarin e komunës së Likovës, pasi Sllupçani gjendet në Likovë dhe sipas thënieve edhe të kompanisë, edhe të kryetarit të komunës, por edhe të vet banorëve, ai problem është tejkaluar. Do të hyjnë ekipet e EVN-së, të cilët në fillim do të bëjnë inspektim të plotë, në atë se kush është kyçyr në mënyrë ilegale dhe do të shkyçet, kush nuk i ka paguar faturat, do të duhet t'i paguajë dhe më tej të vazhdohet normalisht si në tërë territorin", tha Kovaçevski, duke e komentuar intervenimin e ministrit të Ekonomisë që të gjendet zgjidhje për problemin.

Vende të tilla, shtoi ai, ka disa. Nuk është vetëm Sllupçani, siç ishte edhe në Haraçinë, ka edhe vende tjera ku po ashtu po zgjidhet puna, pasi askush nuk është i obliguar dikujt tjetër t'ia paguajë energjinë elektrike, tha kryeministri Kovaçevski, pas ndarjes së banesave sociale për 27 familje në Sveti Nikole.

Banorë të Sllupçanit pardje kanë tentuar vet të kyçen në sistemin elektroenergjetik, me ç'rast kanë bërë dëm të madh në sistemin, duke i lënë pa rrymë bashkëfshatarët dhe banorët edhe të tri fshatrave fqinje - Orizaren, Vanksincën dhe Llojanin. Nga EVN kumtuan se defekti së shpejti do të mënjanohet, pasi kanë marrë garanci nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi se ekipet e tyre nuk do të pengohen nga banorët lokalë në kryerjen e punës.

"Pas garancisë së marrë nga ana e ministrit të Ekonomisë, i cili së bashku me kryetarin e komunës së Likovës kanë arritur marrëveshje që banorët mos t'i pengojnë ekipet e elektrodistribucionit të punojnë dhe të fillojnë me projektin për rikonstruim të rrjetit dhe vendosjen e sistemeve të reja matëse, të cilat do të mundësojnë matje të saktë të energjisë elektrike, defekti në Sllupçan do të sanohet për kohë të shpejtë", qëndron në kumtesën e EVN-së. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR