• e shtunë, 23 nëntor 2024

Presidentja Siljanovska Davkova për vizitë në Shtatëmadhorinë e Armatës dhe Ministrinë e Mbrojtjes

Presidentja Siljanovska Davkova për vizitë në Shtatëmadhorinë e Armatës dhe Ministrinë e Mbrojtjes

Shkup, 4 korrik 2024 (MIA) - Presidentja dhe komandanti suprem i Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, sot e ka realizuar vizitën e saj të parë zyrtare në Shtatëmadhorinë e Armatës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, me ç'rast ka realizuar takime me ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, me shefin e Shtatëmadhorisë, gjeneral-nënkolonelin Vasko Gjurçinovski, si dhe me gjeneralët në Armatë dhe persona udhëheqës në Ministri.

Në pritjen me nderime ushtarake, shefi i Shtatëmadhorisë dhe ministri i Mbrojtjes, në prani të gjeneralëve në Armatë dhe personat tjerë udhëheqës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatëmadhori, kanë prezantuar për gjendjen aktuale, proceset e transformimit dhe modernizimin dhe pajisimin, stërvitjen dhe aktivitetet, të cilat janë me rëndësi për kryerjen e misionit të Armatës, si dhe pjesëmarrja në operacionet, me të cilat kontribuojmë në sigurinë kolektive.

Nga MM kumtuan se presidentja Siljanovska Davkova ka theksuar se në Armatë, si institucion me besimin më të madh në shtet dhe aleat i dëshmuar në Aleancë, është i domosdoshëm investimi i mëtejshëm për përmirësimin e kushteve për jetë dhe punë në të gjitha kapacitetet për sistemim, si dhe në poligonin e armatës "Krivollak".

Ajo ka shprehur pritje se Armata, si dhe deri tani, të vazhdojë me përkushtimin e njëjtë që ta përmbush detyrën kushtetuese për ta mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë, ndërsa pjesëtarët e armatës të vazhdojnë të jenë shembull për profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim, siç i ngjan një vendi anëtar i NATO-s.

"Në tet-a-tet takimin mes ministrit Misajllovski dhe presidentes Siljanovska Davkova, u konfirmua përkushtimi për avancimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në vend, rajon, Evropë dhe më gjerë. U konstatua angazhimi se Maqedonia nevojitet të ketë përparim të shpejtë ekonomik, ardhmëri të sigurtë dhe stabile", thuhet në kumtesën e Shtatëmadhorisë së Armatës.

Presidentja Siljanovska Davkova dhe ministri Misajllovski kanë potencuar se pjesëtarët e Armatës kanë respektin dhe besimin më të madh te qytetarët e vendit dhe se do të ndërmarrin përpjekje maksimale për zhvillim të vazhdueshëm dhe përparim në mbrojtje. Në atë kontekst, ata theksuan se Armata e Maqedonisë së Veriut meriton të ketë pajisje bashkëkohore, ndërsa pjesëtarët e saj mundësi për zhvillim dhe përparim në karrierë.

U bisedua edhe për investimet e ardhshme në sektorin e mbrojtjes dhe modernizimin, përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në mbrojtje me aleatët dhe partnerët, si dhe avancimin e standardeve dhe kushteve për punë të pjesëtarëve të Armatës.

Në kontekst të sigurisë kolektive, shtohet në kumtesë, Misajllovski ka theksuar se aktivisht do të marrë pjesë në operacionet për mbrojtje të rajonit dhe krahut lindor të Aleancës.

Në takimin me gjeneralin Gjurçinovski janë potencuar edhe pritjet në realizimin e proceseve të planifikuara dhe sfidave eventuale, me të cilat mund të ballafaqohemi në sferat me rëndësi për funksionimin e Armatës.

Presidentja dhe komandanti suprem i Armatës, në pajtim me dispozitat ligjore, është kompetente për pjesën më të madhe të çështjeve thelbësore në mbrojtje, mes të cilave edhe për miratimin e strategjisë dhe planit në mbrojtje, organizimin dhe formacionin e Armatës, rregullat e gatishmërisë ushtarake dhe sistemimit në pozitat kryesore udhëheqëse në Armatë me grada të gjeneralit. bsh/

Foto: Shtatëmadhoria e Armatës

 

QËNDRONI TË LIDHUR