Presidentja hungareze Katalin Novak në vizitë në Shkup
- Presidentja hungareze Katalin Novak sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend, kumtuan nga Kabineti i shefit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Shkup, 6 shkurt 2023 (MIA) – Presidentja hungareze Katalin Novak sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend, kumtuan nga Kabineti i shefit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Sipas njoftimeve, Novak do të pritet në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake nga nikoqiri i saj Pendarovski, më pas do të vijojë takim tet-a-tet i dy presidentëve dhe takimi plenar i delegacioneve të dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Novak do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa së bashku me Pendarovskin do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave rinore.
Presidentët Pendarovski dhe Novak do të vendosin kurora lulesh edhe në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spas” në Shkup.
Për shkak të vizitës së Novakut, siç kumtoi MPB-ja, SPB Shkup - Departamenti për siguri në komunikacionin rrugor do të ndërmarrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit nëpër rrugët në zonën qendrore të Qytetit të Shkupit. MPB apelon që të gjithë qytetarët pjesëmarrës në komunikacion t'i rrespektojnë urdhrat që i japin zyrtarët policor. ls/