• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Presidenca e Kosovës: Incidenti me Osmanin në aeroportin e Shkupit është provokim i pastër dhe synim për të shkaktuar incident

Presidenca e Kosovës: Incidenti me Osmanin në aeroportin e Shkupit është provokim i pastër dhe synim për të shkaktuar incident

Prishtinë, 3 gusht 2024 (MIA) - Presidenca e Republikës së Kosovës të premten ka lëshuar një kumtesë për opinionin në të cilën shpreh indinjatën e saj për “deklaratat e papranueshme të MPB-së së Maqedonisë së Veriut” si dhe nga “propaganda që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës” pas incidentit me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në kumtesën me rastin e incidentit, thuhet se Osmani ka refuzuar vetëm t'i japë për skanim telefonin e saj, të cilin e përdor si presidente e shtetit për komunikime zyrtare dhe për çështje të sigurisë kombëtare.

"Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale. Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike", thuhet në kumtesën e Presidencës.


 Më tej, ky institucion bën një përshkrim të incidentit dhe përmend praktikat ndërkombëtare. Presidenca thekson se pala maqedonase paraprakisht është njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e presidentit në përputhje me praktikat diplomatike.

"Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj", thuhet në kumtesën e Presidencës së Kovosës.

Në të mohohen pretendimet se presidentja kishte "diçka të dyshimtë në çantën e saj".

 Jo vetëm se është një e pavërtëtë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidenca e Kosovës e konsideron kërkesën për konfiskimin e telefonit dhe vendosjen e tij në skaner si sjellje jashtë çdo praktike dhe protokolli. 

"Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident. Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës", theksoi Presidenca e Kosovës. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR