• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Pres që fundi i kësaj dhe fillimi i javës së ardhshme të dalim me një qëndrim përfundimtar për normat e interesit dhe të nisë kjo punë, thotë Mickoski

Pres që fundi i kësaj dhe fillimi i javës së ardhshme të dalim me një qëndrim përfundimtar për normat e interesit dhe të nisë kjo punë, thotë Mickoski

Shkup, 19 nëntor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme përfundimisht të specifikohen kushtet rreth normave të interesit me të cilat sektori i biznesit do të mund t'i shfrytëzojë 250 milionë euro nga huaja hungareze, dhe paratë të viheshin në funksion.

"Analizojmë dy skenarë. Gjatë kësaj jave Ministria e Financave do të ketë takime individuale me disa prej bankierëve, përfshirë Bankën Qendrore, guvernatoren. Pres që fundi i kësaj dhe fillimi i javës së ardhshme të dalim me një qëndrim përfundimtar dhe të fillojë kjo punë. Përndryshe, le të përpiqemi që kompanitë të kenë të njëjtat kushte, historikisht më të ulëta që mund të gjenden kudo në botë në këtë moment", tha kryeministri Mickoski në pyetjen e gazetarëve se kur do të jetë takimi me bankierët këtë javë dhe nëse Qeveria po shqyrton mbulimin e shpenzimeve të interesit në lidhje me rrezikun e kredisë për bankat në mënyrë që kompanitë të marrin kredi të favorshme. 

 Në takimin e fundjavës së kaluar nuk është arritur marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe bankave për përcaktimin e kushteve për dhënien e kredisë hungareze për kompanitë e Maqedonisë së Veriut. Parimisht është arritur një marrëveshje për afatet e pagesës, por jo për normat e interesit që do të duhet të paguhen, për të cilën nga të dyja palët,  u tha, se ka vullnet për afrimin e qëndrimeve.

Kryeministri Mickoski, pas takimit me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë, tha se për normën e interesit , ende do të negociohet. 

 "Në pjesën e interesit do të negociohet këtë javë dhe pres që në fund të javës së ardhshme, në gjysmën e dytë, tashmë do të kemi një lloj qëndrimi lidhur me këtë çështje dhe në atë mënyrë do ta përfundojmë të gjithë këtë në mënyrë që më në fund mund të fillojmë të aplikojmë të gjitha këto dhe ta transferohet në ekonomi. Për momentin qpndrimet po afrohen. Nuk do të flisja tani për përqindje, do të flisja më shumë për vullnet të shprehur nga të dyja palët për afrimin e qëndrimeve", tha Mickoski.

 Huaja hungareze prej gjysmë miliardë euro e kanë dakorduar kryeministri Mickoski dhe kryeministri hungarez Viktor Orbani gjatë Samitit të NATO-s në Uashington. Ligji për huanë hungareze u miratua në Parlament më 17 shtator, ndërsa më 8 tetor në Budapest ministrja e Fianancave e nënshkroi marrëveshjen.

Kushtet me të cilat është marrë kredia, siç ka bërë të ditur disa herë deri më tani kryeministri, janë të favorshme - 3,25 për qind me grejs periudhë trevjeçare dhe 12 vjet afat shlyerjeje. Gjysma e parave janë të dedikuara për komunat për realizimin e projekteve kapitale, ndërsa gjysma për sektorin e biznesit. 

 Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR