• e shtunë, 23 nëntor 2024

Prej nesër bukë edhe për 33 denarë, furrtarët do të fillojnë betejë juridike me Qeverinë

Prej nesër bukë edhe për 33 denarë, furrtarët do të fillojnë betejë juridike me Qeverinë

Shkup, 3 mars 2023 (MIA) - Industria e bukës prej nesër do të fillojë të furnizojë bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë prej 33 denarëve, por do të fillojë edhe procedurë juridike të dëmit që e pëson nga vendimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës.

Siç deklaroi sot kryetari i Grupacionit të industrisë së mullirit-bukës, Goran Malishiq, kompanitë maksimalisht i kanë respektuar masat për përkrahje, ndërsa Qeveria ka marrë vendim jokushtetues dhe joligjor, me të cilin deri më 31 maj do t'i shkaktojë dëm prej mbi 4,5 milionë euro.

"Beteja me Qeverinë vazhdon në bazë juridike. vendimet që ajo i ka marrë në nivel mujor na bëjnë dëm prej mbi 1,5 milionë euro. Për shkak të dëmeve të imponuara, jemi të detyruar të adaptohemi dhe t'i zvogëlojmë humbjet me llojet të caktuara të bukës, por edhe ta zvogëlojmë numrin e të punësuarve. Gjatë tre muajve të ardhshme do të kërkojmë mënyrë të mbijetojmë, ndërsa prej nesër do të fillojmë të furnizojmë bukë për shkak të nevojave të qytetarëve", potencoi Malishiq.

Ai vlerësoi se Qeveria aspak nuk ka ndjenjë për gjendjen e sapokrijuar dhe as që është e vetëdijshme, siç tha, se me masat e tilla populiste shkatërron një nga industritë strategjike në vend.

"Në konsultime intensive me ekspertë juridikë, të vendit, por edhe nga jashtë, u konfirmua se vendimet qeveritare janë jokushtetuese dhe joligjore pasi janë miratuar pa shkelje të konfirmuar të tregut sipas Ligjit për tregti. Në kundërshtim me Vendimin, konfirmohet, me procesverbale të inspektorateve, se nga 1 dhjetori deri në fund të shkurtit respektohen të gjitha masat dhe vendimet paraprake që Qeveria i ka ndërmarrë. Në këtë bazë, industria e bukës, e bashkuar do të fillojë procedurë juridike me qëllim të pagesës së dëmit, respektivisht humbjes që ia ka shkaktuar industrisë Qeveria me vendimet. Dëmi deri më 31 maj, deri kur u publikua se do të zgjat vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës, do të jetë mbi 4,5 milionë euro. Beteja për mbrojtjen dhe mbijetesën e industrisë, do të vazhdojë në bazë juridike", tha Malishiq.

Sipas tij, askush nuk mund të pohojë se sa kushton një bukë. Çdo kompani i ka kalkulimet e veta.

"Nëse është ashtu, atëherë të gjithë do të hapin furra. Disa prej kompanive kanë punësuar nga 200, 400, 300 njerëz, bëjnë bukë të ndryshme, buka nuk kushton njëjtë, nëse janë të bardha ose gjysmë të bardha, cilësia është e ndryshme, të ndryshme janë edhe paketimet, distribuimi, rezervat", tha Malishiq, duke shtuar se javën e ardhshme do të bëjnë konsultime intensive dhe do të fillojë procedura juridike. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR