• e enjte, 18 korrik 2024

Pothuajse gjysma e SHBA-së përballen me temperatura ekstremisht të larta

Pothuajse gjysma e SHBA-së përballen me temperatura ekstremisht të larta
Uashington, 20 korrik 2022 (MIA) – Pothuajse 100 milionë amerikanë nga Kalifornia deri në Mejn po përballen me paralajmërime ekstreme të nxehtësisë që vijnë rregullisht këto ditë nga Shërbimi kombëtar i meteorologjisë. Për sot, shërbimi paralajmëroi për një valë të madhe të nxehtit në pjesën qendrore të vendit pa paralajmërim për t'u ndalur, raportoi Nju-Jork Tajms. Një pjesë të rrafshnaltave juglindore dhe jugore, të cilat përfshijnë shtete si Nju-Meksiko, Teksas, Oklahoma dhe Kanzas, si dhe Luiziana dhe Arkanzas, po përballen me temperatura mbi 40 gradë Celsius. Ndërsa lagështia e ajrit në disa pjesë të Oklahomës dhe Teksasit mund t'i rrisë temperaturat deri në mbi 45 gradë. Sipas meteorologëve, në Oklahoma Siti është regjistruar temperaturë rekorde prej 43.3 gradëve, ndërsa në Ostin të Teksasit, temperatura nuk ka zbritur nën 38 gradë për 40 ditë rresht. Ndihma e parë në Oklahoma Siti dhe në Tulsa këtyre ditëve ka qenë shumë e zënë me thirrjet e urgjencës të ndërlidhura me nxehtësinë e këtyre ditëve. Vala e të nxehtit pritet të vijë edhe në pjesët verilindore të SHBA-së. Kështu, në Nju-Jork, autoritetet paralajmëruan hapjen e qendrave të freskimit. Qendrat janë në hollet dhe dhomat me ajër të kondicionuar të hoteleve, ndërtesave dhe qendrave të biznesit, të cilat do të jenë të hapura për qytetarët. Disa plazhe në Nju-Jork, si ajo shumë e vizituara Rokauej në Kuins, janë mbyllur këtyre ditëve, me temperaturat e rritura, për shkak të paraqitjes së peshkaqenëve pranë bregut dhe madje edhe në ujë të cekët. Në Long Ajlend, plazhet nuk janë mbyllur, por ka patrulla peshkaqenësh. Në plazhin Lido të dielën është parë një peshkaqen, sot janë raportuar dy raste sulmi. Në ditët e kaluara janë vërejtur pesë sulme të këtilla të peshkaqenëve, në një rast ka pasur edhe një të lënduar. Ekspertët nuk besojnë se arsyeja e rritjes së numrit të peshkaqenëve në brigjet e Nju-Jorkut është për shkak të temperaturave të larta të ujit dhe shtimit të numrit të peshkaqenëve dhe se rreziku nga peshkaqenët është minimal. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR