• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mesazhi i Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai për muajin e Ramazanit

Mesazhi i Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai për muajin e Ramazanit

Shkup, 10 mars 2024

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm". [El-Bekare, 183]

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra,
Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e ardhjes të muajit të bekuar Ramazan, t’iu drejtohem të gjithë besimtarëve të vendit, kudo që gjenden ata dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, me përgëzimet më të mira e të përzemërta, t`ua uroj fillimin e këtij muaji, i cili është muaji i paqes, i solidaritetit, i mirësive universale dhe i mëshirës hyjnore.

Në këtë muaj zbriti imperativi i të Madhit Zot: “Lexo, mëso në emrin e Zotit tënd që krijoi gjithçka", imperativ ky që i dha kahe të vërtetë njohjes së Krijuesit dhe krijimtarisë së tij. Por, vlera më e madhe e këtij muaji është agjërimi i ditëve të tij, me çka, respektojmë urdhrin e Zotit të Madhërishëm duke kryer kushtin themelor të Islamit.

Me këtë besimtari në praktikë vërteton lidhshmërinë me Krijuesin e tij, ngritë vetëdijen mbi të mirën, paqen, solidaritetin, kujdesin ndaj njeriut dhe reformon personalitetin e tij, duke e përgatit për të qenë gjithmonë në shërbim të kultivimit të së mirës.

Ramazanit dhe agjërimi i ditëve të tij krijon ambient të lartë shpirtëror për të qenë sa më afër mëshirës së Zotit dhe jep mundësinë për t'iu drejtuar Madhërisë së Tij, me lutjet tona të thella për mëkatet dhe të metat tona eventuale dhe në të njëjtën kohë ngjallë tek ne afërsinë, dashurinë, bujarinë, dhe ndihmën ndaj njëri tjetrit.

Andaj, kam nder të veçantë që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV dhe në emrin tim të gjithë besimtarët e vendit kudo që jetojnë dhe veprojnë t'ju shprehim urimet tona të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke ju dëshiruar iman të paluhatshëm, vullnet të mirë dhe vetëdije të lartë për të kryer agjërimin, ibadetet, lutjet dhe veprat e mira duke u mbështetur në fjalët e Muhamedit a.s. i cili ka thënë:

“Kush agjëron muajin e Ramazanit me iman të paluhatshëm duke qenë i bindur se i madhe Zot jep shpërblime të panumërta dhe se i falë të gjitha mëkatet që ka bërë më parë".

Urime Muaji i shenjtë i Ramazanit. Zoti ju bekoftë!

Reisul-Ulema i BFI-së
H. Hfz. Shaqir ef. Fetai

_____________________________________________________________________________________
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR