• e shtunë, 23 nëntor 2024

Policia shqiptare filloi kontrollin në tërë territorin dhe kufirin shtetëror me aeroplanë pa pilot

Policia shqiptare filloi kontrollin në tërë territorin dhe kufirin shtetëror me aeroplanë pa pilot

Tiranë, 1 maj 2024 (MIA) - Policia e Shtetit dhe Inspektorati kombëtar për mbrojtje të territoreve (IKMT) do të kenë prej sot në dispozicion aeroplanët pa pilot për kontroll të territorit dhe kufirit shtetëror nga ajri.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla sot në Bazën ajrore në Kuçovë pa nga afër aeroplanët pa pilot të Forcës Ajrore. Ai tha se Policia e Shtetit dhe IKMT do të kenë prej sot mundësinë e kontrollit në kohë reale të gjithë territorit dhe kufirit nga ajri.

“Kapaciteti i ri i Forcave ajrore, sikurse u dakordua, do të përdoret edhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, qoftë Policia e Shtetit, qoftë IKMT, që kanë depozituar pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA, kërkesat specifike për përdorimin e tyre. Synimi është një kontroll më i mirë i territorit dhe nga ajri. Policia e Shtetit nevojën e ka kryesisht për monitorimin nga ajri të territorit lidhur me aktivitete apo fenomene sikurse është p.sh., kultivimi i kanabisit. Na nevojitet një koordinim mes tokës dhe ajrit për të kontrolluar sa më mirë territorin”, tha Balla.

Ai u përqëndrua edhe në reagimin shumë më të shpejtë në kohë, përmes avionëve pa pilot, lidhur me nevojat e policisë.

“Përmes këtij avioni pa pilot ne mund të zëvendësojmë fare mirë kontrollin nga ajri që dikur është bërë me helikopter. Procedura e futjes në veprim të avionëve pa pilot është shumë më e shpejtë sesa ajo që ishte për helikopterët. Këto beteja fitohen kur ti kursen kohë”, u shpreh ministri.

Duke folur rreth mundësive të tjera të përdorimit për qëllime civile, Balla nënvizoi se “në këtë moment qëllimi ynë është sezoni turistik. Na duhet të kontrollojmë përgjatë gjithë bregdetit të gjitha fenomenet, depozitimet e mbetjeve dhe çdo problematikë tjetër, se nuk janë vetëm ndërtimet pa leje, por edhe krimet mjedisore, dëmtimi i pyjeve etj”. bsh/

Foto: Fejsbuk profili i ministrit Balla

QËNDRONI TË LIDHUR