• e premte, 27 dhjetor 2024

Po punohet për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Banim, pritet të hyjë në procedurë qeveritare deri në maj

Po punohet për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Banim, pritet të hyjë në procedurë qeveritare deri në maj

Shkup, 2 mars 2023 (MIA) - Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Komisionin Rregullator për Banim po punon në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Banim. Pritjet janë se deri në maj të këtij viti Ligji do të hyjë në procedurë qeveritare, ndërsa pastaj të miratohet nga ana e Kuvendit.

"Kur u përballëm me problemin se disa gjëra në Ligjin për Banim nuk ishin rregulluar, ne iu qasëm ndryshimeve të reja të Ligjit i cili tashmë është duke u përgatitur dhe me sipas gjitha gjasave shpresoj që në maj të jetë në procedurë qeveritare dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi", tha zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi në deklaratën për mediat para tryezës së rrumbullakët kushtuar Ligjit për Banim.

Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për Banim, siç sqaroi kryetari i Komisionit Rregullator për Banim, Zoran Maxhovski, janë në drejtim të përsosjes dhe përshtatjes së tij, si dhe propozohen dispozita të reja me të cilat do të rregullohen çështjet të cilat nuk janë plotësisht të rregulluara me Ligjin ekzistues.

Nevoja për ndryshime, siç tha ai, është imponuar për shkak të disa dobësive, pasaktësive dhe paqartësive të konstatuara.

"Komisioni në bashkëpunim me grupin e menaxherëve të licencuar pranë odës ekonomike, sektorit joqeveritar dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka filluar nismë, ndërsa ministri ka formuar një grup pune të përbërë nga disa palë të interesuara që kanë punuar në mënyrë aktive gjatë vitit 2022 dhe përgatitën draft tekstin për ndryshime dhe plotësime të ligjit", tha Maxhovski.

Pritjet janë që gjatë gjysmës së parë të këtij viti Ligji të hyjë në procedurë qeveritare. 

Duke folur për zbatimin e deritanishëm të Ligjit për Banim, Maxhovski theksoi se janë vërejtur një numër i madh i rezultateve pozitive, duke theksuar se është rritur niveli i vetëdijes së popullatës për banimin kolektiv, si dhe cilësia e jetesës së përbashkët.

"Nga viti 2011 deri në dhjetor të vitit 2022 numri i objekteve banesore që menaxhohen nga menaxherët e licencuar është 4 829 ose gjithsej 114 014 banesa dhe objekte afariste, ndërsa janë gjithsej 2 655 banesa që menaxhohen nga bashkësitë e pronarëve", informoi Maxhovski.

Përndryshe ai potencoi se rolin kryesor në zbatimin e Ligjit për Banim e kanë komunat.

"Kryetarët e komunave kanë obligim të emërojnë inspektorë komunalë për banim, por një numër i madh i komunave ende nuk kanë emëruar, ndërsa në Shkup ka vetëm gjashtë inspektorë edhe atë në Qendër, Karposh, Aerodrom, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Çair", deklaroi Maxhovski.

"Me emërimin e inspektorëve për banim në të gjitha komunat urbane, e veçanërisht në komunat në Qytetin e Shkupit, dukshëm do të përmirësohet cilësia e banimit në objektet kolektive të banimit", tha Maxhovski.

Nga viti 2011 e deri më sot, Komisioni Rregullator për Banim ka lëshuar gjithsej 123 licenca për firmat për menaxhimin e pjesëve të përbashkëta të objekteve. Ndërkohë, një numri të madh të firmave të licencuara u është hequr licenca për disa faktorë, përfshirë heqjen e licencës për shkak të mosrespektimit të ligjit për banim.

Me mandatin e përbërjes aktuale të Komisionit Rregullator për Banim nga korriku i vitit 2021 e deri më sot, numri i firmave të licencuara për mirëmbajtjen e pjesëve të përbashkëta të objekteve është rritur nga 53 në 70. Gjatë kësaj periudhe Komisioni ka lëshuar gjithsej 33 licenca, ndërsa për arsye të ndryshme janë marrë16 licenca. fc/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR