• e premte, 27 dhjetor 2024

Pjesa lindore e Korridorit hekurudhor 8 hap rrugë të reja, lidhje rajonale dhe rritje ekonomike

Pjesa lindore e Korridorit hekurudhor  8 hap rrugë të reja, lidhje rajonale dhe rritje ekonomike
Kumanovë, 29 tetor 2022 (MIA) - Nga fshati Shuplji Kamen i Kumanovës sot filloi ndërtimi i pjesës lindore të korridorit hekurudhor 8, aksi Kumanovë - Belakoc - Kriva Pallankë. Kompanitë kontraktore janë në terren, ndërsa autoritetet me ndërtimin presin lidhjen e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal. Në ceremoninë zyrtare morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Dimitar Kovçevski dhe Galab Donev, ministra, drejtorë, përfaqësues të Bashkimit Evropian në Shkup dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. Sipas kryeministrit Kovaçevski, bëhet fjalë për një projekt strategjik dhe kapital që do të lidhë rajonin dhe do të hapë rrugë të reja evropiane për transportin hekurudhor. Thotë se e kupton skepticizmin për ndërtimin e hekurudhës që ka nisur në vitin 1994, duke theksuar se rehabilitimi dhe punimet e Korridorit 8 po bëhen realitet. "Me bashkëpunim të përkushtuar ndërtojmë një të ardhme tonë të përbashkët, sigurojmë mundësi për ekonominë, komunitetin e biznesit, investojmë në një lidhje hekurudhore moderne funksionale, investojmë në lidhjen e të gjithë rajonit. Ky investim i Maqedonisë së Veriut hap rrugë të reja evropiane për transportin hekurudhor, vendos një lidhje rajonale me portet e Burgasit dhe Varnës në Bullgari dhe portin e Durrësit në Shqipëri, i cili është i një rëndësie të jashtëzakonshme për ekonominë tonë, por edhe në përgjithësi për bashkëpunimin në rajoni në tërësi, si dhe bashkëpunim i rajonit me rajonet e tjera në Evropë", tha Kovaçevski. Në kushte të krizës ekonomike dhe energjetike, siç theksoi, është e rëndësishme ndërlidhja dhe fqinjësia e mirë dhe mbështetja nga BE-ja, me të cilën mundësohet ndërtim të një rrjeti hekurudhor modern dhe efikas. Kryeministri i Bullgarisë konsideron se ndërtimi i hekurudhës do t'i japë vlerë të re rajonit. Ai theksoi se me kënaqësi e pranoi ftesën e kryeministrit Kovaçevski që të marrë pjesë në ceremoninë për shënimin e  fillimit të ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8, i cili, potencoi, është për Bullgarinë deri në Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. "I njëjti padyshim do të kontribuojë edhe për vlerën e shtuar për zhvillimin e gjithë rajonit tonë. Në më shumë se 140 vitet e kaluara është realizuar infrastruktura  e cila ishte e nevojshme për Korridorin numër 8 të sotëm, ai ishte dëshirë e shumë gjeneratave në të dyja anët e kufirit", tha Donevi. Sipas zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, Korridori hekurudhor 8 është një nga investimet më të mëdha në infrastrukturë në vend. "Viti para nesh do të jetë i mbushur me punë infrastrukturore, por edhe do ta përmirësojë edhe cilësinë e jetës së njerëzve, do ta zhvillojë ekonominë e vendit tonë. Do të ketë punë për të gjithë dhe do të jetë mirë për të gjithë", tha Grubi. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, vlerëson se ky është një kapitull i ri në ndërtimin e infrastrukturës së Maqedonisë së Veriut dhe se vizioni për shtet evropian nuk është më dëshirë, sepse ky projekt është pjesë e perspektivës evropiane për zhvillim dhe prosperitet të shtetit. Suksesi është i përbashkët, kemi treguar këmbëngulje, vendosmëri dhe po e fillojmë investimin më të madh në infrastrukturën hekurudhore në Maqedoninë e pavarur që nga viti 1991 e deri më sot, në një vlerë prej 200 milionë euro", thotë Boçvarski. Aksi nga Kumanova deri në Belakoc, i gjatë 31 kilometra, është një investim prej 40 milionë euro. Për fazën e dytë nga Belakoci deri në Kriva Pallankë janë investuar 155 milionë euro për ndërtimin e 34 kilometrave të hekurudhës së re. Ambasadori evropian Dejvid Gir, i cili gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e sotme, vlerësoi se kjo është një nismë vërtet strategjike që do të ndihmojë të promovohet tregtia rajonale, të ulet koha  e udhëtimit dhe të nxitet rritja e qëndrueshme ekonomike. "Nisma praktikisht do t'i ndihmojë edhe përpjekjet tona për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për arritjen e qëllimeve klimatike dhe ndotjes. KE dhe BERZH do të investojnë më shumë se një miliard euro në zgjerimin e linjës hekurudhore nga Maqedonia e Veriut deri në Bullgari dhe ky është deri tani investimi më i madh që BE ka bërë në këtë vend", tha Giri. Andi Aranitasi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim theksoi se hekurudha është një nga prioritetet kryesore të BERZH-it në Ballkanin Perëndimor dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë me investime të ngjashme edhe në të ardhmen. "BERZH është financuesi më i madh për Maqedoninë e Veriut dhe deri më tani janë dhënë më shumë se 1.1 miliardë euro, por hekurudha është në zemrën tonë dhe deri më tani janë dhënë 250 milionë euro dhe do të japim edhe 100 milionë të tjera për pjesën nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa  do ta mbështesim edhe ndërtimin e pjesës perëndimore nga Kërçova", theksoi Aranitasi. Drejtori i NP “HRMV Infrastrukturë” Hari Lokveneci, theksoi se ka përfunduar shpronësimi dhe se traseja është shqyrtuar në lidhje me vendet arkeologjike. Ai paralajmëroi se do të ketë shtatë stacione hekurudhore nga Kumanova deri në kufirin bullgar. Dinamika projektuese është që punimet të përfundojnë deri në vitin 2027. Seksioni Bellakovcë – Kriva Pallankë po ndërtohet me ndihmën financiare të BE-së të ofruar përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (VBIF). Granti i financuar nga BE-VBIF prej 75 milionë euro, i plotësuar me një kontribut kombëtar prej 1 milionë eurosh, është dhënë për ta afruar këtë seksion hekurudhor me standardet moderne. Punimet do të kryhen nga tetori i vitit 2022 deri në fund të vitit 2025 dhe përfshijnë 5.5 kilometra tunele, ura hekurudhore, mbikalime dhe nënkalime, stacione dhe stenda hekurudhore, si dhe një sistem të ri sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Një grant shtesë i financuar nga BE-ja prej 210 milionë euro është planifikuar për përfundimin e pjesës lindore të korridorit hekurudhor 8 deri në kufirin me Bullgarinë”, informoi Zyra e BE-së në Shkup në prag të aktiviteteve të sotme. Në shkurt të vitit të kaluar NP "HMRV Infrastrukturë", përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shpalli tender të ri në të cilin bashkoi dy seksionet e para. Procedura e tenderit përfundoi me përzgjedhjen e kontraktorëve të rinj "Gjulermak" dhe "Shtrabag" dhe nënshkrimin e marrëveshjes në korrik të këtij viti. ar/

QËNDRONI TË LIDHUR