• e shtunë, 23 nëntor 2024

Pjesëmarrësit e Forumit për Diplomaci Kulturore Shkup 2023 në takim me Këshillin Kombëtar për Integrime Europiane

Pjesëmarrësit e Forumit për Diplomaci Kulturore Shkup 2023 në takim me Këshillin Kombëtar për Integrime Europiane

Shkup, 6 shtator 2023 (MIA) – Të gjitha palët në Gjermani nuk kanë dyshime dhe e mbështesin procesin e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Ne duam që këto vende të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi është në stagnim dhe në 20 vitet e fundit ka pasur shumë probleme që nuk janë normale në proceset e anëtarësimit, tha Armin Lashet nga partia CDU në fjalimin e tij në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, që sot organizoi një takim me pjesëmarrësit e Forumit për Diplomacinë Kulturore Shkup 2023.

“Tani po diskutojmë për vendet e Ballkanit dhe procesi i integrimit është i ndryshëm për të gjitha”, tha Lashet, duke shtuar se Serbia tashmë i ka nisur negociatat, vitin e kaluar edhe Shqipëria bëri të njëjtën gjë dhe për Maqedoninë e Veriut, e cila është kandidate që nga ajo kohë. Në vitin 2005, Komisioni Evropian ra dakord për fillimin e procesit të negociatave, por duhet të identifikohen kërkesat që ende nuk janë përmbushur.

Ai beson se "nuk është një proces i drejtë" kur diskutohet për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

“Është një nxitje për Ukrainën në këtë moment lufte, që e ka derën e hapur, por të gjithë ata që presin që Ukraina së shpejti të bëhet anëtare e BE-së, nuk i kuptojnë proceset evropiane. Mendoj se fillimisht duhet të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne duhet të vendosim prioritete”, shtoi politikani gjerman.

Ai tha se vendet duhet të bashkëpunojnë sepse "për sfidat e mëdha në botë, ato janë shumë të vogla për të luftuar duke vepruar veçmas" dhe, siç tha ai, "duke ditur historinë, të përdorin zgjidhje pragmatike për problemet që kemi sot".

“Dhe nëse kjo është perspektiva evropiane, mendoj se do të mund të gjejmë një zgjidhje edhe për procesin e anëtarësimit. Ne kemi nevojë për hapa të duhur për t'i afruar vendet me BE-në... Unë jam për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por në mënyrë pragmatike, për të kapërcyer pozicionet e ndryshme historike dhe urrejtjen që ekzistojnë nga e kaluara. Kjo është perspektiva evropiane”, theksoi Lashet.

Sipas deputetes nga Kroacia, Dalija Oreshkoviq. Motivimi më i madh vjen nga perspektiva e ndryshimit dhe vuri në dukje se pas dy dekadash amullie në procesin e anëtarësimit, siç tha ajo "në BE u dëgjuan zëra që vendosën një objektivitet të ri për vendet e Ballkanit Perëndimor".

"Përvojë të vlefshme" e quajti ajo procesin e pranimit të Kroacisë në BE, ku ajo ka qenë një anëtare e me të drejta të plota për dhjetë vjet.

“Edhe pas dhjetë vjetësh nuk jemi ende siç mendonim se do të ishim. Ky proces i vazhdueshëm është një proces progresi dhe regresi, ulje-ngritje dhe është një shembull për kandidatët që duhet të ndjekin në ato hapa... Nisur nga sfidat dhe dilemat që do të kenë kandidatët, besoj se një ndihmë e konsiderueshme mund të ofrohet duke i hedhur një vështrim më të thellë ligjeve të miratuara, pra zbatimit praktik. Megjithëse shumë ligje janë të njëjta ose të ngjashme me ato të vendeve të tjera anëtare të BE-së, zbatimi nuk mund të jetë kurrë i njëjtë. Nëse nuk jeni të përgatitur në mënyrë adekuate, do të keni probleme për të mbajtur ritmin me pjesën tjetër të Unionit”, tha Oreshkoviç.

Si anëtare e mëparshme e Komisionit Kundër Korrupsionit në Kroaci, ajo konsideroi se sundimi i ligjit është veçanërisht i rëndësishëm për plotësimin e kushteve.

“Për të përshpejtuar procesin, kuptova se duhet më shumë se ndryshimi i ligjeve. Për përparim të suksesshëm është e rëndësishme të krijohen shtylla të rëndësishme të demokracisë. Për kombet në tranzicion dhe që duan anëtarësim të plotë në BE, unë shoh tre fusha kyçe, tre shtylla të demokracisë – forcimin e identitetit individual, forcimin e institucioneve të pavarura kundër klientelizmit dhe forcimin e kontrollit të autoriteteve shtetërore me njëri-tjetrin”, tha deputetja në parlamentin kroat.

Korrupsioni, tha ajo, është një "sfidë e vazhdueshme midis të gjithë kandidatëve të BE-së" dhe institucioneve u mungojnë burimet e duhura.

“Edhe Kroacia ende e ka atë problem, institucionet nuk kanë burime të mjaftueshme për t'u marrë me korrupsionin sistematik. Prandaj mos u dekurajoni nëse diçka ende nuk është arritur”, tha Oreshkoviq.

Fokusi i Forumit të sivjetshëm për Diplomaci Kulturore Shkup 2023 është mirëkuptimi dhe paqja përmes diplomacisë kulturore, të cilën deputetja e Kuvendit të Skocisë, Mishel Tomson, e quajti fuqia e butë.

“Ajo është një fuqi e butë që nuk njeh kufij. E dimë që Skocia është sinonim i tartanit, uiskit dhe gajdeve, por në të njëjtën kohë është sinonim edhe i universiteteve dhe i eksportit të mallrave cilësore. Shumë e shohin Skocinë si një vend ku mund të zhvillojnë një biznes dhe një vend me të cilin mund të punojnë. Gjatë gjithë shekujve, Skocia ka pasur marrëdhënie tregtare me Ballkanin, për të cilat gjejmë dëshmi nga shekulli i 15-të. Kjo marrëdhënie bazohej në besim dhe ato themele të besimit lehtësojnë tregtinë sot”, tha deputetja skoceze.

Forumi për Diplomaci Kulturore, i cili u mbajt dje, organizohet nga Zyra e ish-Presidentit të Shtetit, Gjorge Ivanov dhe Instituti Ndërkombëtar dhe Akademia për Diplomaci Kulturore. Pjesëmarrës janë ish-presidentë dhe kryeministra të shteteve, ministra aktualë dhe ish-ministra, deputetë dhe eurodeputetë.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR