• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pisonero për MIA-n: Zgjerimi mbetet një proces i bazuar në merita, Maqedonia e Veriut t'i përshpejtojë ndryshimet kushtetuese

Pisonero për MIA-n: Zgjerimi mbetet një proces i bazuar në merita, Maqedonia e Veriut t'i përshpejtojë ndryshimet kushtetuese

Bruksel, 21 dhjetor 2023 (MIA) - Pretendentët për anëtarë në BE janë të gatshëm të punojnë edhe më shumë në reformat kyçe për t'iu bashkuar Unionit tonë dhe ne duam të jemi të qartë se zgjerimi mbetet një proces i bazuar në merita që kërkon investime dhe përkushtim për zbatimin e reformave thelbësore, duke përfshirë edhe për sundimin e ligjit, deklaroi për MIA-n zëdhënësja e Komisionit Evropian për politikë të fqinjësisë dde zgjerim, Ana Pisonero.

Sipas saj, në kushte kur ka momentum për zgjerim të BE-së, Komisioni Evropian i inkurajon të gjitha palët në Maqedoninë e Veriut që të punojnë së bashku për ta çuar vendin në rrugën e saj për t'u anëtarësuar në Union.

"Konkluzionet e Këshillit Evropian janë të qarta: Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut sapo vendi të zbatojë angazhimin e tij për përfundimin e ndryshimeve kushtetuese, siç është theksuar në konkluzionet e Këshillit nga data 18 korrik 2022, në përputhje me procedurat e brendshme të tij. Këshilli Evropian i bën thirrje Maqedonisë së Veriut që ta përshpejtojë zbatimin e tyre", deklaroi Pisonero në pyetjen e MIA-s se nëse janë të mundshme zgjidhje të tjera, si ndryshimi i Kornizsë negociuese, nëse nuk sigurohet shumicë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ajo shton se në kuadër të pakos së zgjerimit, më 8 nëntor Komisioni Evropian ka paraqitur edhe propozimin e tij për një Plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor.

"Qëllimi (i Planit) është që të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE në rajon që para anëtarësimit, të forcojë integrimin ekonomik të tregut të përbashkët të BE-së, të forcojë integrimin ekonomik me Ballkanin Perëndimor përmes një tregu rajonal të përbashkët, për të përshpejtuar reformat themelore dhe për të rritur ndihmën financiare për të mbështetur reformat me mjete për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor", thotë Pisonero.

Ajo shton se rregullorja për themelimin e Fondit për reforma dhe rritje aktualisht është duke u shqyrtuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, të cilët duhet të bien dakord për një qëndrim të përbashkët.

Sipas saj, përparon edhe procesi në bashkëpunim me gjashtë partnerët e BE-së nga Ballkani Perëndimor për përgatitjen e agjendave të reformave të parapara me Planin për rritje dhe Mekanizmin.

"Në nëntor dhe dhjetor tashmë janë mbajtur takimet dypalëshe në nivel të lartë dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor në konsultim me Komisionin kanë filluar të identifikojnë prioritetet kryesore të reformës për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonmike me BE-në. Komisioni shpreson që financimi do të jetë i disponueshëm sa më shpejt të jetë e mundur gjatë vitit 2024", shtoi Pisonero.

Lidhur me mbështetjen e qytetarëve evropianë për procesin e zgjerimit, zëdhënësja e KE-së thekson se në raportin e fundit të Këshillit Evropian për marrëdhëniet e jashtme (ECFR) thekson se sipas Eurobarometrit të fundit të qershorit 2023, 53 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin zgjerimin në parim, ndërkohë që 37 për qind janë kundër, kështu që megjithëse, sipas ECFR-së shifrat në favor të zgjerimit ndoshta nuk janë të mëdha, ato ende sinjalizojnë një pikë kthese në një trend afatgjatë.

"Është e rëndësishme të vazhdohet dialogu me qytetarët e BE-së për t'u shpjeguar atyre se çfarë është zgjerimi. Politika e zgjerimit të BE-së, e cila ka marrë vrull, më shumë se kurrë është investim gjeostrategjik në paqen afatgjatë, stabilitetin dhe sigurinë e gjithë kontinentit tonë, thotë Pisonero në deklaratën për MIA-n. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR