• e martë, 03 dhjetor 2024

Pirc Musar: Edhe Sllovenia në rrugën drejt BE-së duhej ta ndryshonte Kushtetutën, shpresoj se politikanët në Maqedoninë e Veriut do të tregojnë mençuri

Pirc Musar: Edhe Sllovenia në rrugën drejt BE-së duhej ta ndryshonte Kushtetutën, shpresoj se politikanët në Maqedoninë e Veriut do të tregojnë mençuri

Shkup, 13 qershor 2023 (MIA) - Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar sot në Shkup shprehu shpresën se politikanët në Maqedoninë e Veriut do të tregojnë mençuri dhe do t'i zbatojnë ndryshimet kushtetuese të cilat janë kusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në dhe hapjen e klasterëve për negociatat. Ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me nikoqirin e saj, presidentin Stevo Pendarovski theksoi se rruga drejt BE-së nuk është e lehtë, se Sllovenia është përballur me ato procese dhe se drejt asaj rruge edhe ky vend është dashur të ndryshojë Kushtetutën ku asokohe ka pasur debate të ashpra politike në shoqërinë sllovene.

"Të potencoj se Sllovenia e kaloi atë proces dhe nuk ishte e lehtë. Më lejoni poashtu të theksoj se Sllovenia duhej të ndryshonte Kushtetutën dhe asokohe në atdheun tim u dëgjua se si kjo nuk ishte mirë për popullin slloven, se si do të humbet gjuha sllovene. E ndryshuam Kushtetutën në një nen që lejonte të huajt të blinin dhe të posedonin prona. Kishte debate politike, kishte debate të nxehta nga ai aspekt, por ia dolëm, sepse politika sllovene ishte e vetëdijshme se ne duhet të jemi unik kur duhet të realizojmë projekte evropiane. Shpresoj se politikanët të kuptojnë se sa i rëndësishëm është uniteti dhe mendimi se duhet të shkohet pesë/gjashtë hapa përpara dhe të kuptohet se çfarë është mirë për popullin maqedonas. Unë sinqerisht shpresoj se do të tregoni mjaftueshëm mençuri politike dhe do të ndryshoni Kushtetutën", ka thënë Pirc Musar.

Ajo theksoi se këtu janë edhe obligimet që BE-ja ka ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se Unioni poashtu duhet të përfundojë pjesën e vet të punës dhe të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në atë proces.

Presidentja sllovene theksoi se beson dhe e di se Maqedonia e Veriut ka potencial për të hyrë në Union. Ajo shton se rrethanat e reja gjeopolitike dhe përafrimi i Ukrainës dhe Moldavisë drejt BE-së nuk do të ndikojë në atë që Maqedonia e Veriut eventualisht të mbetet në plan të dytë sa u takon eurointegrimeve.

Sa i përket qasjes së Ukrainës dhe Moldavisë, çdo vend ka të drejtë të shprehë dëshirën e tij dhe t’i bashkëngjitet BE-së, por si presidente e Sllovenisë, ju garantoj se Maqedonia e Veriut nuk do të zhduket nga debatet, gjithmonë do të jetë në qendër të vëmendjes sonë lidhur me përafrimin. Sllovenia gjithmonë do të jetë mbështetës i juaj dhe gjithmonë do t'ju ndihmojë", ka thënë Pirc Musar.

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR