• e enjte, 26 dhjetor 2024

Petrovska për vizitë te ushtarët e Maqedonisë në Rumani, vlerësime të larta për kontributin e tyre në Forcat Shumëkombëshe të NATO-s

Petrovska për vizitë te ushtarët e Maqedonisë në Rumani, vlerësime të larta për kontributin e tyre  në Forcat Shumëkombëshe të NATO-s

Shkup, 10 nëntor 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në kuadër të qëndrimit zyrtar në Rumani, në kazermën Otopeni i ka vizituar ushtarët e kontingjentit të Maqedonisë të cilët janë pjesë e Forcave Shumëkombëshe të NATO-s të stacionuar në këtë vend aleat.

"Kam dëgjuar vlerësimet e eprorëve tuaj se angazhimi dhe përkushtimi juaj janë në një nivel vërtet të lartë. Së bashku me kombet e tjera, ju punoni çdo ditë dhe merrni pjesë në të gjitha stërvitjet dhe të gjitha aktivitetet dhe jepni shembull pozitiv ju dhe kolegët tuaj nga rotacioni i mëparshëm", theksoi ministrja në takimin me ushtarët.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, Petrovska shtoi se pjesëtarët e Armatës që do të vijnë me rotacionin e radhës do të kenë sfidë serioze për të lënë përshtypje të mira.

"Secili prej jush jep kontributin e tij personal për sigurinë kolektive dhe për suksesin e Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s", theksoi ministrja Petrovska, duke falënderuar ushtarët nga kontingjenti i Maqedonisë  në Forcat Shumëkombëshe të NATO-s në Rumani.

Ajo theksoi se vlerësimet e larta për secilin prej 35 ushtarëve të Maqedonisë në këto forca të NATO-s justifikojnë besimin që kanë marrë nga Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm dhe u tha atyre që të vazhdojnë të jenë të përkushtuar si më parë, të bëjnë më të mirën, të krijojnë miqësi dhe njohje që do të zgjasin përgjithmonë dhe për t'u kthyer në vendin e tyre, në familjet e tyre më të pasura për një eksperiencë të madhe.

Në bazën e Otopenit, Petrovska vizitoi pavijonin ku ndodhen ushtarët e Maqedonisë, pas së cilës u organizua drekë me të gjithë pjesëtarët e Armatës.

Para komandantit të Forcave Shumëkombëshe, gjeneral brigade Konstantin Nikolaesku dhe anëtarëve të shtabit, ministrja Petrovska falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe për kontributin vetëmohues të të gjithë ushtarëve të NATO-s në këtë mision, që siç tha ajo është konfirmim që NATO-ja mbron, bashkon dhe forcon.

"Unë jam jashtëzakonisht mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që i jepni kontingjentit të Maqedonisë. Jam e bindur se çdo pjesëtar i Armatës jep kontributin e tij dhe se lidhjet e pathyeshme që keni krijuar do të zgjasin përjetë", tha ministrja. sa/

Foto: Ministria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR