• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Petrovska në SHBA në takim me Ostin dhe në shënimin e 30 vjetorit të partneritetit me Gardën kombëtare të Vermontit

Petrovska në SHBA në takim me Ostin dhe në shënimin e 30 vjetorit të partneritetit me Gardën kombëtare të Vermontit

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska gjendet për vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku do të ketë takime të shumta me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, përfshirë edhe sekretarin e Mbrojtjes, Llojd Ostin.

Siç informon Ministria e Mbrojtjes (MM), në një video deklaratë para fillimit të agjendës, ministrja Petrovska ka informuar mbi këtë takim, si dhe aktivitetet tjera në SHBA, përfshirë edhe vizitën në Universitetin shtetëror të Karolinës Veriore dhe shënimin e 30 vjetorit të themelimit të partneritetit midis Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gardës kombëtare të Vermontit në Berlington.

Në takimin me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Ostin, thekson Petrovska, "do të bëhet fjalë për të ardhmen, sfidat dhe ajo se si të dyja vendet mund të mbeten garanci e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit dhe hapësirës euroatlantike".

"Nëse diçka e ndan vendin tonë dhe politikën tonë nga të tjerët, është se ne jemi zëri i arsyes. Politika jonë ka qenë gjithmonë e bazuar në vlera dhe mundësi si dhe transparencë. Vlerat euroatlantike janë udhërrëfyesi ynë në marrjen e çdo vendimi dhe miqtë dhe mbështetësit tanë amerikanë këtë e vlerësojnë. Hezitimi dhe vonesa në marrjen e vendimeve politike nuk është karakteristikë e liderëve dhe kjo vetëm e kthen vendin prapa. Jetojmë në një kohë me sfida serioze kur sjellja e vendimeve shtetërore është obligim ndaj atdheut, e jo vullnet i mirë", ka thënë ministrja Petrovska.

Pjesë e rëndësishme e vizitës ka të bëjë edhe me shënimin e 30 vjetorit të vendosjes së partneritetit strategjik midis Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gardës kombëtare të Vermontit. Në Berlington, ministrja Petrovska do të vizitojë disa kapacitete të Gardës kombëtare të Vermontit, do të ketë takim edhe me guvernatorin e këtij shteti federal, Fil Skot, ndërsa nikoqir i delegacionit që përfshin edhe shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral nënkolenelin Vasko Gjurçinovski do të jetë komandanti i Gardës kombëtare të Vermontit, gjenerali Gregori Najt.

"Me Gardën kombëtare dëshmuam se ushtarët tanë janë aleatë të vërtetë, por edhe miq mes të cilëve ka respekt dhe besim të ndërsjellë. Dhe është besimi që gjithmonë mund të hapë mundësi të reja bashkëpunimi, zhvillim dhe të krijojë energji dhe ambicie të reja për suksese më të mëdha", ka thënë ministrja Petrovska.

Në SHBA janë planifikuar takime edhe në Departamentin amerikan të shtetit si dhe vizitë në Agjencinë për bashkëpunim në siguri dhe mbrojtje të SHBA-së dhe takim me drejtorin e saj, Xhejms Hrsh.

Delegacioni do ta vizitojë edhe Universitetin Norviç, ku do të bisedohet për vazhdimin e bashkëpunimit të këtij kolegji më të vjetër ushtarak privat me Akademinë ushtarake "Gjeneral Mihaillo Apostollski".

QËNDRONI TË LIDHUR