• e enjte, 26 dhjetor 2024

Petrovska: Në ndryshimet kushtetuese nuk ka asgjë kontestuese, të mblidhet guxim politik për votimin e tyre

Petrovska: Në ndryshimet kushtetuese nuk ka asgjë kontestuese, të mblidhet guxim politik për votimin e tyre

Shkup, 26 qershor 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sonte, lidhur me ndryshimet kushtetuese, tha se që të bëhen çfarëdo bisedimesh, duhet të dyja palët edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja, të kenë qëndrime të definuara qartë. Qëndrimi i LSDM-së, potencoi Petrovska është i qartë dhe i pandryshuar që nga fillimi, gjë që nuk mund të thuhet edhe për VMRO-DPMNE-në.

Sipas ministres, në ndryshimet kushtetuese nuk ka asgjë kontestuese dhe duhet të mblidhet guxim politik për zbatimin e tyre.

Siç porositi në ditarin e TV Sitell, çështje të tila nuk guxojnë të përdoren si pjesë fushatës parazgjedhore, kudo që të jenë, as nuk guxojnë të jenë pjesë e fushatës zgjedhore.

"Qëndrimi i LSDM-së është i qartë dhe i pandryshueshëm nga dita e parë. Ne jemi të gatshëm për ndryshime kushtetuese të cilat do të thonë vazhdim i rrugës drejt BE-së, por për fat të keq këtë nuk mund ta themi edhe për VMRO-DPMNE-në. Ata duhet fillimisht të thonë nëse ofertat janë përgjigje e tyre përfundimtare pasi kanë filluar me atë se nuk pranojnë ndryshime kushtetuese, që më pas të thonë se pranojnë. Si qytetar, çështja dhe dilema ime është, çfarë është kontestuese në ndryshimet kushtetuese kur Bullgaria vet kërkon bullgarët të shkruhen si pakicë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut me çka hiqet edhe bindja se jemi një popull në dy shtete. Nëse për VMRO-DPMNE-në kjo është e papranueshme, bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, atëherë pyes veten nëse pajtohen me atë fjali se jemi një popull në dy shtete", tha Petrovska.

Për çështjen me situatën në veri të Kosovës, ajo vlerësoi se gjendja është vërtetë shqetësuese, por jo se ka kanosje të drejtpërdrejta për sigurinë për vendin tonë, por pasi, siç sqaroi nuk është mirë dhe nuk është korrekt politikisht në këtë moment të ketë konflikt kudo qoftë, veçanërisht jo në rajon.

"Ne atje jemi të pranishëm me dy toge të Armatës, në kuadër të kontingjentit të KFOR-it dhe NATO-s, por këtu më shumë është çështja për dërgimin e mesazheve politike edhe në Kosovë edhe në Serbi se Ballkani nuk ka nevojë për konflikt të ri. Kur shkojmë në zgjedhje premtojmë se do të ketë paqe dhe siguri, se ky është prioritet i yni dhe këtë premtim duhet ta përmbushim", tha Petrovska.

Ministrja siguron se forcat tona ushtarake janë në gatishmëri të plotë dhe aftësia luftarake e Armatës tonë asnjëherë nuk është zvogëluar.

Ajo u përqendrua edhe në alarmet e rrejshme për bomba në shkolla vitin e kaluar, duke thënë se para opinionit duhet të kumtohet se kush ka qëndruar mbrapa tyre.

foto: print skrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR