• e shtunë, 23 nëntor 2024

Petrovska me kongresmenë amerikanë: Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së në mbrojtje është në nivelin më të lartë

Petrovska me kongresmenë amerikanë: Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së në mbrojtje është në nivelin më të lartë

Shkup, 5 maj 2023 (MIA) - Partneriteti strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të mbrojtjes, dënimi i agresionit rus ndaj Ukrainës së pavarur dhe sovrane, siguria në rajon dhe më gjerë, ishin temat që diskutoi sot në Ministrinë e Mbrojtjes ministrja Slavjanka Petrovska dhe delegacioni i kongresmenëve amerikanë të udhëhequr nga kongresmeni Vern Bjukenen.

"Maqedonia e Veriut është një aleat i përkushtuar që beson fort në bashkimin dhe vlerat që na lidhin. Bashkëpunimi me SHBA-në, partnerin tonë strategjik me të cilin kemi zhvilluar një dialog strategjik, është në nivelin më të lartë. Mbështetja nga SHBA-ja vitin e kaluar arriti afër 50 për qind të buxhetit kombëtar të mbrojtjes, që është një tjetër konfirmim i mbështetjes afatgjatë dhe vendimtare të partnerit strategjik për stabilitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Partneriteti strategjik dhe miqësia me SHBA-në dhe investimi ynë në pajisjen e Armatës mundëson realizimin e projekteve të planifikuara për pajisje dhe modernizim dhe përmbushjen e qëllimeve të kapacitetit të NATO-s", theksoi ministrja Petrovska.

Ajo falënderoi për mbështetjen afatgjatë që e bën Armatën e Maqedonisë edhe më të fortë, më të aftë dhe të pajisur me armatim dhe pajisje moderne.

Për sa i përket situatës së sigurisë, ministrja e Mbrojtjes theksoi se Maqedonia e Veriut ishte e qartë që në fillim në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Maqedonia e Veriut ka qenë e qartë dhe e zëshme që nga fillimi i agresionit - se ai përfaqëson një shkelje të plotë të rendit juridik ndërkombëtar dhe se duhet të ndalet. Në të njëjtën kohë morëm një sërë vendimesh me të cilat mbështetëm Ukrainën, e cila ka të drejtë të mbrojë territorin dhe popullin e saj, theksoi Petrovska,qëndron  në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kongresmeni Bjukenen, në emër të të gjithë delegacionit, përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme nga Maqedonia e Veriut për mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus dhe shprehu mbështetjen për partneritetin dhe aleancën e fortë mes dy vendeve. sa/

Foto: MM

 

QËNDRONI TË LIDHUR