• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Petrovska: Helikopterët i ndërrojmë për modernizimin e Armatës konform standardeve të NATO-s

Petrovska: Helikopterët i ndërrojmë për modernizimin e Armatës konform standardeve të NATO-s

Shkup, 21 mars 2024 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska duke folur për detajet lidhur me furnizimin e helikopterëve të rinj për Armatën, si dhe modernizimin me mjetet e reja të blinduara JLTV dhe Stryker, sonte deklaroi se furnizimi i tyre është në përputhje me Planin afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse 2023-2032, dokument i miratuar më 11 prill të vitit 2023 në Komisionin e mbrojtjes dhe sigurisë dhe më 26 prill 2023 në Kuvend, ku shpjegohet saktësisht se si do të bëhet zhvillimi i kapaciteteve ajrore. 

Petrovska, në një intervistë për televizionin Sitel, e pyetur se pse po ndërrojmë helikopterët, theksoi se kjo është para së gjithash për ne dhe modernizimin e ushtrisë sonë, në përputhje me standardet e NATO-s.

"Nevoja për modernizim të vazhdueshëm të ushtrisë sonë është imponuar nga nevoja që shteti të ndërtojë sistemin e tij të mbrojtjes, në përputhje me NATO-n, në një platformë me të cilën në të ardhmen anëtarët tanë do të mund të marrin pjesë në misione dhe operacione të përbashkëta me aleatët e tjerë", tha ministrja.

Lidhur me çmimin e kostos dhe mënyrës së përzgjedhjes së ofertës, ministrja sqaroi se ajo i referohet platformës së plotë që përfshin helikopterët dhe pajisjet shtesë që u mundësojnë pilotëve të kryejnë me sukses misionet, qëllimet dhe detyrat e tyre.

Petrovska informoi se deri më tani Ministria nuk ka pranuar një letër me shkrim nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me furnizimin e helikopterëve. Ajo edhe një herë e ka mirëpritur vendimin e KSHPK-së për hapjen e një rasti ku siç tha ajo do të mund të shohin të gjitha informacionet.

Ministrja e Mbrojtjes Petrovska tha se garanton se nuk ka absolutisht korrupsion në fushën e saj të punës dhe se ka besim të plotë në të gjitha palët e tjera të përfshira në procesin e prokurimit.

Ministrja tha se këto automjete janë ekspozuar në kuadër të Ditëve të hapura që organizohen në qytetet e vendit me rastin e 4-vjetorit të anëtarësimit në NATO dhe 75-vjetorit të themelimit të Aleancës. Automjetet do të ekspozohen edhe në ditën e hapur në Shkup e cila do të organizohet të shtunën në stadiumin ushtarak në parkun e qytetit. qa/

Foto: Ministria e Mbrojtjes/Sitel

QËNDRONI TË LIDHUR