• e premte, 22 nëntor 2024

Petrovska dhe Mariçiq me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit në NATO: Vendimet e vështira janë të vlefshme për qytetarët dhe shtetin

Petrovska dhe Mariçiq me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit në NATO: Vendimet e vështira janë të vlefshme për qytetarët dhe shtetin

Shkup, 26 mars 2024 (MIA) - Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi na mundësuan sot në këtë seancë solemne të Qeverisë të shënojmë katërvjetorin e ngjarjes që është investimi më i madh në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit tonë - anëtarësimi në NATO, tha sot ministrja për mbrojtje Slavjanka Petrovska në seancën solemnte të Qeverisë me rastin e përvjetorit të anëtarësimit në NATO.

“Me një fjalë, vendimet e guximshme shtetërore që na mundësuan më 27 mars 2020 të arrijmë një nga dy qëllimet strategjike nga pavarësia jonë e deri më sot, janë investim në të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit tonë”, tha Petrovska.

Petrovska iu referua përfitimeve të anëtarësimit në NATO, siç tha, përfitimi i parë kyç është se me anëtarësimin në Aleancë nuk mund të ketë asnjëherë pyetje nëse mund të kërcënohet sovraniteti, integriteti dhe siguria e qytetarëve.

"Për një shtet që është i pavarur për pak më shumë se tre dekada dhe ndodhet në Ballkan, anëtarësimi në NATO do të thotë një konfirmim i madh i pozicionit të tij në nivel ndërkombëtar dhe një sukses i madh. Siguria është e para, por siguria dhe stabiliteti garantojnë edhe investime dhe gjendje më të mirë ekonomike në vend, tha Petrovska.

Prandaj, shtoi ministrja, anëtarësimi në Aleancë ka qenë një synim strategjik i vendit që në momentin e parë të pavarësisë dhe duhet të jemi krenarë që sot është një realitet.

"Ne tashmë katër vjet nuk jemi temë në tavolinë si vend ballkanik që duhet ndihmuar, por jemi të barabartë me të gjitha shtetet anëtare dhe vendosim bashkë. Maqedonia e Veriut, nga një vend që bashkësia ndërkombëtare ndihmoi për të ruajtur paqen, tani është një vend që kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë rajonale. Dhe nuk mund të bëhet fjalë për cenim të sigurisë sonë nga askush, sepse në atë rast ne tashmë kemi një aleancë prej 32 shtetesh sot pas nesh!, përfundoi Petrovska.

Zëvendëskryeministri i parë për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, theksoi se katër vjet pasi u bëmë anëtare e NATO-s, më së miri në praktikë mohohet edhe skepticizmi dhe rezervat e pesë viteve më parë, sepse sot, siç nënvizoi, kemi mundësinë të urojmë dhe të festojmë dhe të krenohemi për Maqedoninë e Veriut, anëtare e NATO-s.

"Sot ka rrethana që na tregojnë se kemi marrë vendimin e duhur, që kemi qenë në anën e duhur. Kemi një luftë në Ukrainë, ndërsa ne jemi në vijën e sigurt të kufirit në Evropë. Ne kemi vende si Finlanda dhe Suedia që kanë qenë ushtarakisht neutrale për shekuj, dhe që kanë ndryshuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë të neutralitetit, për t'u bërë anëtarë të NATO-s ku ne tashmë ishim anëtarë dhe jemi anëtare dhe kemi një situatë në rajon ku tre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s dhe ne jemi në mesin e atyre treve, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi", tha Mariçiq.

Ai vlerësoi se kjo sot mund të duket se na është dhënë, por, thekson, ne kemi luftuar shumë për të, me sakrifica të mëdha politike.

"Por kjo vetëm na kujton se vendimet e vështira janë vërtet të vlefshme për qytetarët dhe shtetin. Dhe se vendimet e vështira që duhet të marrim në lidhje me anëtarësimin në BE - po, neve politikanëve me siguri do të na kushtojnë, por të jeni të sigurt, kur të festojmë përvjetorin e anëtarësimit në BE - se qytetarët do të na jenë mirënjohës - edhe për atë që do ta bëjmë, edhe për atë që kemi bërë!, ka theksuar Mariçiq në seancën zyrtare në Qeveri.

Në seancë fjalime më parë kanë mbajtur kryeministri i Qeverisë Talat Xhaferi dhe Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR