• e diel, 24 nëntor 2024

Petkov: Shkupi tani ka zgjidhje për të ardhmen e vet

Petkov: Shkupi tani ka zgjidhje për të ardhmen e vet
Sofje, 26 qershor 2022 (MIA) - Shkupi tani ka zgjidhje për të ardhmen e vet, Bullgaria nuk mund të bart përgjegjësi për të gjithë, tha kryeministri bullgar në dorëheqje Kiril Petkov në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNR), duke komentuar pozicionin e Sofjes pas vendimit të Kuvendit kombëtar për pranimin e draft- propozimit të Presidencës franceze me BE-në për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Sipas Petkovit, me pranimin e "propozimit francez", Bullgaria arriti të mbrojë interesat e saj kombëtare. “Bëmë diçka të jashtëzakonshme. Për herë të parë Brukseli mbështeti pozicionin bullgar”, tha Petkovi. Ai theksoi se nëse vendi pajtohet me propozimin e Parisit, do të duhet të përfshijë bullgarët në Kushtetutë para se të fillojë procesi negociues me BE-në. “Kemi mekanizma të qartë kontrolli për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. Kemi përcaktime shumë të qarta për faktet historike dhe edukimin në shkolla ​​në Maqedoninë e Veriut”, thekson kryeministri në largim. Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani të premten porositën se Maqedonia e Veriut do të pranojë propozimin e presidencës franceze për fillim të negociatave me BE-në, nëse në kornizën negociuese nuk problematizohet çështja e gjuhës maqedonase dhe nuk përfshihen çështjet historike dhe nëse fillimi i procesit negociues nuk lidhet me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Osmani, madje theksoi se qëndrimi i tij personal është se “propozimi francez” do të bëhej i pranueshëm nëse nga korniza e propozuar negociuese përjashtohet protokolli jo i harmonizuar nga Konferenca e dytë ndërqeveritare maqedono-bullgare e cila ende nuk është mbajtur dhe nëse ndryshohet plani për dinamikën për ndryshim të Kushtetutës, ose fillimi i negociatave të mos kushtëzohet me përfshirjen e bullgarëve në preambulë.  

QËNDRONI TË LIDHUR