• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pesëmbëdhjetë vjet nga përmbytja e anijes "Ilinden" në Liqenin e Ohrit

Pesëmbëdhjetë vjet nga përmbytja e anijes

Ohër, 5 shtator 2024 (MIA) - Janë bërë pesëmbëdhjetë vite nga tragjedia në liqenin e Ohrit kur pas përmbytjes së anijes "Ilinden" jetën e humbën 15 persona, turistë nga Bullgaria fqinje.

Aksidenti ka ndodhur në këtë ditë, pra në vitin 2009 në orën 10:30, kur anija "Ilinden" me 57 udhëtarë u fundos në linjën nga Ohri për në Shën Naum. Mëngjesin e asaj të shtune moti ishte jashtëzakonisht i nxehtë, liqeni i qetë dhe asgjë nuk la të kuptohej se do të ndodhte një aksident me anije më i madhi në historinë e lundrimit në liqenin e Ohrit. "Ilinden" është përmbysur dhe është fundosur rreth 250 metra larg bregut të liqenit, pranë autokampit "Eleshec".

Gjykata Themelore në Ohër ku u zhvillua gjykimi për aksidentin nga 28 shkurt 2011, dënoi në mungesë përfaqësuesin e autorizuar të shoqërisë gjermane të sigurimeve "Lojd" Branko Baiq për shkak të pakujdesisë së saktësisë teknike të anijes "Ilinden" ndërtuar në vitin 1924.

Familjet e udhëtarëve të lënduar dhe të vdekur nga anija "Ilinden" paralajmëruan se do t'i paraqesin kërkesat e tyre për dëmshpërblim kundër Republikës së Maqedonisë në procedurë civile, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Tetë nga viktimat kanë qenë banorë të komunës së Antonit, katër nga komuna e Pirdopit dhe nga një nga komunat e Zllaticës, Mirkovës dhe Ribaricës.

Dy javë pas përmbytjes, anija "Ilinden" u nxor në sipërfaqen e liqenit të Ohrit më 19 shtator. Në të njëjtën ditë, anija u tërhoq në kanalin e Studençishtës, ku pas hetimeve për korrektësinë teknike ndodhet edhe sot si dëshmitare e heshtur e tragjedisë që mori 15 jetë njerëzish. rq/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR