• e martë, 24 dhjetor 2024

Pesëdhjetë milionë euro të reja për komunat nga Banka Evropiane e Investimeve, paralajmëroi Mexhiti

Pesëdhjetë milionë euro të reja për komunat nga Banka Evropiane e Investimeve, paralajmëroi Mexhiti

Shkup, 5 nëntor 2024 (MIA) – Pesëdhjetë milionë euro të reja, kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, të cilat ishin siguruar, por jo edhe shfrytëzuar, do të kenë në dispozicion komunat, paralajmëroi sonte zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti. Të premten, siç tha Mexhiti, të gjithë 80 kryetarët e komunave janë të ftuar në takim me kryeministrin në të cilin do të informohen për mjetet. 

Sipas ministrit, bëhet fjalë për mjete të cilat janë marrë në kohën e pushtetit të kaluar, por nuk janë realizuar deri më tani, ndërsa janë të dedikuara për projekte ekologjike, për zbukurim hortikulturë të komunave dhe për infrastrukturë nëntokësore – kanalizime, ujësjellës,... 

“Të premten së bashku me kryeministrin do të ftojmë të gjithë 80 kryetarët e komunave për 50 milionë euro të reja nga MMJPH, kredi nga Banka Evropiane e Investimeve që është marrë më herët, por që kur kemi ardhur ka pasur zero realizim. Tashmë shtatë milionë janë proceduar nga komuna të caktuara, por për të përshpejtuar procesin do t'i ftojmë kryetarët e komunave me kryeministrin, do t'i informojmë se sa mjete u takojnë, cilat janë kushtet, të dorëzojnë projekte dhe ne jemi në dispozicion të tyre. Paratë tashmë janë marrë, paguajmë edhe interes, por nuk janë përdorur. Realisht, 100 milionëve ne i shtojmë edhe këto për mjedis jetësor. Varësisht se sa të shkathët do të jenë kryetarët e komunave në realizimin e projekteve, ne mund ta përfundojmë procesin deri në maj”, theksoi Mexhiti në një paraqitje si mysafir në TV Sitel.

Ai edhe një herë përsëriti se Qeveria ka konfirmuar metodologji për mbështetje të komunave dhe nuk i ndan kryetarët e komunave në bazë politike. 

“Punojmë për qytetarët, ndërsa ata vetë do të bëjnë dallimin kush si punon. Me të gjitha 76 komunat nuk ka kurrfarë problemi, ndërsa në mesin e tyre ka edhe të opozitës, nga BDI, LSDM dhe parti të tjera, vetëm katër kryetarë komunash kanë problem. Morëm vendim të ri që ta prolongojmë konkursin për shkak të tyre, që t’i marrin mjetet. Strumica, për shembull, ka aplikuar me projekt i cili është në vijim. Megjithatë, mendoj se me komunikim të mirë edhe kjo do të zgjidhet, sepse edhe për Strumicën janë ndarë para nga 50 milionë eurot”, tha Mexhiti. fc/

Fotografia: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR