• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës

Pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës

Athinë, 17 qershor 2023 (MIA) - Më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e Liqenit të Prespës nga pala greke, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila mbylli mosmarrëveshjen shumëvjeçare mes dy vendeve dhe hapi rrugë për perspektiva të reja në marrëdhëniet bilaterale, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Marrëveshjën, të cilën shumë e konsiderojnë historike, por edhe model për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, është nënshkruar nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kozias, në prani të kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërmjetësues në negociata, Metju Nimic, ish-komisioneri evropian për Zgjerimin Johanes Han, ish Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogerini dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të të dy vendeve.

Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit të saj në Kuvendin tonë dhe në Parlamentin grek, Marrëveshja hyri zyrtarisht në fuqi më 12 shkurt 2019.

Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë u riemërua Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia u bë maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjuha maqedonase.

Zgjidhjes i kanë paraprirë negociatat që zgjatën për 27 vjet, periodikisht ato kanë qenë me ritëm të shtuar dhe takime më të shpeshta, por ka pasur edhe periudha që kanë ngecur dhe janë ndërprerë, por kanë përfunduar gjithmonë pa një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, deri në fund të vitit 2017 kur bisedimet u intensifikuan pas një ngecjeje thuajse trevjeçare dhe u arrit Marrëveshja.

Me zgjidhjen, vendit tonë iu hap rruga drejt NATO-s dhe BE-së dhe në jug fitoi një vend mik, por edhe aleat, siç thonë shpesh politikanët nga të dy anët e kufirit, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel të lakmueshëm, si nga aspekti politik, ashtu edhe nga ai ekonomik.

Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30-të i NATO-s, ndërsa avionët luftarakë grekë janë përgjegjës për monitorimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë.

Në Greqi, edhe pse një vit pas nënshkrimit, qeveria ndryshoi, Marrëveshja respektohet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar, në një sërë fushash si ekonomia, energjia, ndërsa Athina zyrtare vazhdon të jetë përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Qëndrimi i Qeverisë së Demokracisë së Re gjatë mandatit katërvjeçar ishte se pavarësisht se si opozitë nuk e kanë përkrahur Marrëveshjen, si Qeveri e kanë obligim ta respektojnë, pasi që është marrëveshje ndërkombëtare.

Ndryshe nga periudha parazgjedhore e vitit 2019, kur Marrëveshja e Prespës ishte një nga temat kryesore të përballjes mes partive, veçanërisht mes SYRIZA-s dhe Demokracisë së Re, kësaj radhe, si dhe në prag të zgjedhjeve të 21 majit dhe tani para zgjidhjeve të radhës më 25 qershor, zgjidhjen mes Shkupit dhe Athinës, partitë kryesore greke as që e përmendin.

Për sa i përket zbatimit të Marrëveshjes, ka disa vonesa nga pala greke, si mbajtja e Këshillit të dytë të nivelit të lartë dhe ratifikimi i tre memorandumeve për bashkëpunim në Kuvend.

Sipas marrëveshjes, këshilli i bashkëpunimit të nivelit të lartë i kryesuar nga kryeministrat e dy vendeve, “do të mblidhet të paktën një herë në vit dhe do të jetë organi kompetent për zbatimin e duhur dhe efektiv të kësaj Marrëveshjeje dhe Planit të Veprimit që do të dalë po nga e njëjta”.

Seanca e parë dhe e vetme ndërqeveritare u mbajt në Shkup në prill të vitit 2019, gjatë vizitës së kryeministrit të atëhershëm grek, Aleksis Cipras, ndërsa në të dytën nikoqir duhet të jetë Greqia.

Zgjidhja e kontestit të emrit normalizoi plotësisht marrëdhëniet politike dypalëshe, të cilat hynë në një rrjedhë normale, me komunikim të rregullt dhe aktiv të ndërsjellë, me takime dhe vizita, dhe rezultuan me vizitën e parë zyrtare në Greqi nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, si dhe Vizita e parë zyrtare e kryeministrit grek në vend.

vNë tetor 2021, presidenti Stevo Pendarovski ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi Greqinë dhe u prit me nderime të larta në Athinë, ndërsa më pak se një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes, në prill 2019, kryeministri i atëhershëm grek Aleksis Cipras e vizitoi Shkupin dhe u mbajt Këshilli i parë i Bashkëpunimit i nivelit të lartë, i përbërë nga përfaqësues të dy qeverive, të kryesuar bashkërisht nga kryeministrat.

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, si i mëparshmi, Zoran Zaev, ashtu dhe ai aktual, Dimitar Kovaçevski, kanë qenë disa herë në Greqi, në ngjarje të ndryshme në vend, ndërsa në katër vitet e fundit, derisa Demokracia e Re ishte në pushtet, ata u takuan me kryeministrin e fundit grek Kirjakos Micotakis. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR