• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Perinski për 100 ditët e qeverisë: Mbi 1 miliard denarë janë investuar në rreth 200 projekte infrastrukturore në tetë rajonet planore

Perinski për 100 ditët e qeverisë: Mbi 1 miliard denarë janë investuar në rreth 200 projekte infrastrukturore në tetë rajonet planore

Shkup, 2 tetor 2024 (MIA) - Në llogaridhënien për punën e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në njëqind ditët e kaluara, ministri Zllatko Perinski theksoi se këto 100 ditë nuk ishin të lehta, por janë fillimi i një rruge afatgjate dhe siç tha, epokë e re e gjithëpërfshirjes ndaj të gjithë qytetarëve drejt të gjitha komunave pa qasje selektive.

"Në 100 ditët e kaluara i jemi përkushtuar secilit qytetar dhe secilës komunë ku mbi 1 miliard denarë janë investuar në gati 200 projekte të ndryshme infrastrukturore në të tetë rajonet planore në të gjithë vendin. Rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve, përshtatja dhe rikonstruksioni i objekteve në ndërtesa me efikasitet energjetik, rindërtimi i objekteve në fushën e arsimit dhe të kujdesit social dhe shëndetësor, përmirësimi i infrastrukturës së vendeve turistike-vende turstike, janë vetëm një pjesë e strategjive të projektit që kemi zbatuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve", tha Perinski në prezantimin e aktiviteteve dhe projekteve të dikasterit të tij në 100 ditët e qeverisë së re. 

Një pjesë e projekteve, informoi Perinski, realizohen përmes Byrosë për zhvillim rajonal, disa në bashkëpunim me komunat, ndërsa ka edhe projekte që janë rezultat i marrëdhënieve të partneritetit të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale me Agjencinë zvicerane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe me partnerët e projektit të pushtetit vendor si UNDP, misioni i OSBE-së dhe Instituti Kombëtar Demokratik (IKD).

Një segment i rëndësishëm i planit të investimeve, potencoi ministri, janë dhe projektet nga Programi IPA, në bashkëpunim me të gjitha pesë vendet fqinje të cilat bashkërisht kontribuojnë në zhvillimin e rajoneve kufitare.

"Këto 100 ditë ishin një periudhë pune intensive, në të cilën arritëm t'i tejkalojmë sfidat e trashëguara dhe të zhvillojmë një sistem që shfrytëzon maksimalisht të gjitha kapacitetet dhe burimet për të arritur caqet tona. Me përkushtim dhe angazhim maksimal kemi filluar me realizimin e prioriteteve të përcaktuar. Arritëm të zbulojmë dhe adresojmë shumë nga mangësitë me të cilat ballafaqoheshin komunat prej më herët, që kanë rezultuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike të ofruara dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve", theksoi Perinski.

Kumtoi se përmes Byrosë për zhvillim të balancuar rajonal në vitin aktual janë duke u realizuar 129 projekte në fushat si efikasiteti energjetik, infrastruktura, mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi i turizmit. Në kuadër të Programit për zhvillim të balancuar rajonal, potencoi ministri, në mënyrë aktive janë duke u realizuar edhe 12 projekte shtesë.

Në llogaridhënien e tij, ai ka përmendur edhe dhjetë projektet drejt Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale që ka realizuar në të gjitha tetë rajonet planore me mbështetjen e Agjencisë zvicerane për rindërtim dhe zhvillim dhe qeverisë së Zvicrës.

"Në periudhën në vijim, me mbështetje të kancelares së UNDP-së po fokusohemi në zbatimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ky ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në thelb i mirë, besojmë se ka vend për ta përmirësuar edhe më shumë nëpërmjet një analize sistematike të disa dobësive që ne i perceptojmë në sistemin tonë dhe duke propozuar zgjidhje të përshtatshme në përputhje me përvojat më të mira evropiane. Në këtë kuptim, me mbështetjen e UNDP-së, në periudhën në vijim do të formohet një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë të cilët do të hetojnë praktikat më të mira që duhet të mundësojnë funksionalitet edhe më të madh të komunave, në interes të ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që e gjithë kjo procedurë të përfundojë para zgjedhjeve lokale, në mënyrë që autoritetet e reja komunale të punojnë në përputhje me ndryshimet dhe plotësimet e këtij akti të rëndësishëm fondamental", paralajmëroi Perinski. rq/

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR