Perinski: Maqedonia dhe Hungaria po i forcojnë lidhjet në pjesën e zhvillimit rajonal dhe politikave të BE-së
- Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, me ftesë të ministrit të Zhvillimit Rajonal dhe Administratës Publike, Tibor Novoraçiç, realizoi një vizitë pune njëditore në Hungari, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e partneritetit midis dy shteteve.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:04, 20 shkurt, 2026
Shkup, 20 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, me ftesë të ministrit të Zhvillimit Rajonal dhe Administratës Publike, Tibor Novoraçiç, realizoi një vizitë pune njëditore në Hungari, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e partneritetit midis dy shteteve.
Siç bëri të ditur Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në fokus të bisedimeve ishte shkëmbimi i përvojave për një shfrytëzim më efikas dhe të plotë të programeve të Bashkimit Evropian, si dhe mbështetja për përfshirjen e Maqedonisë në programet e reja evropiane.

Për Ministrinë, shtohet në komunikatë, ky bashkëpunim është me rëndësi të veçantë në drejtim të përparimit të zhvillimit rajonal, transferimit të njohurive me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe qasjes në fondet evropiane.
Në kuadër të vizitës, ministri mori pjesë edhe në hapjen e një ekspozite në Qendrën për Përvoja Digjtale (CODE), ku ministri i Kulturës dhe Inovacioneve të Hungarisë mbajti një fjalim. Qendra është formuar në kuadër të programit "Vesprem-Balaton 2023 - Kryeqyteti Evropian i Kulturës" dhe synon të hapë mundësi të reja për shkëmbim kulturor përmes përmbajtjes digjitale dhe interaktive.

Pjesa tjetër e agjendës iu kushtua vizitave në disa vende të rëndësishme në Qarkun Vesprem, gjatë të cilave u shkëmbyen mendime dhe përvoja mbi zhvillimin lokal dhe rajonal, si dhe mbi proceset aktuale shoqërore. Në këtë kontekst, u prekën edhe temat që lidhen me mënyrat për të rritur atraktivitetin e rajoneve, si dhe masat për të inkurajuar komunat drejt një vetëqëndrueshmërie më të madhe dhe përdorimit efikas të potencialeve të tyre të zhvillimit.
"Vizita përfaqëson një hap tjetër drejt thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të praktikave të mira në fushat me interes të ndërsjellë", thuhet në komunikatë.
Foto: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale