• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Pendarovski: Propozimi francez është kompromis i pranueshëm transitor, nuk do të jetë as fitore, e as debakël

Pendarovski: Propozimi francez është kompromis i pranueshëm transitor, nuk do të jetë as fitore, e as debakël
Shkup, 3 korrik 2022 (MIA) - Propozimi i modifikuar francez është kompromis tranzitor për një nga fazat e integrimit evropian, në të cilin janë thelbësore tre elemente dhe për këtë propozimi në këtë format është i pranueshëm, deklaroi presidenti Stevo Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurisë. “Me këtë heqim bllokadën bullgare që zgjat më shumë se dy vjet dhe lejon hapjen formale të negociatave. Ne mbetemi në rrugën evropiane, e cila është e gjatë dhe deri në këtë moment nuk kemi humbur asgjë, ndërsa tani është koha për të hapur dialogun strategjik”, deklaroi Pendarovski. Presidenti Pendarovski konsideron se me pranimin e propozimit të modifikuar francez do të vendoset vetëm për hapjen e negociatave me BE-në. Vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez nuk do të jetë as një triumf historik, as dështim apo humbje historike. Sipas Pendarovskit, e gjithë situata karakterizohet me tensione jashtëzakonisht të larta politike në vend, por ai nuk beson, siç tha ai, se kjo është dilemë fatale për të qenë apo jo për kombin dhe shtetin, e as vendim që do të definojnë gjeneratat e ardhshme të maqedonasve dhe qytetarëve maqedonas. Ky propozim në asnjë mënyrë nuk e cenon identitetin maqedonas, sepse, siç thotë ai, ekziston formulim i qartë për gjuhën maqedonase. Ai theksoi se pret që pasi propozimi të hyjë në Qeveri, të bëhen konkluzionet e Qeverisë në rast se propozimi i modifikuar francez pranohet me një fjali plus, të përsëritet në raportin e Qeverisë dërguar në Kuvend, e që siç tha ai, nga dita kur do të fillojnë negociatat deri në përfundimin e tyre, kurdo që të jetë, nëse ka përpjekje shtesë nga Bullgaria apo ndonjë palë tjetër për të përmendur përsëri identitetin, historinë, gjuhën maqedonase, në të njëjtin moment le të tërhiqemi vetvetiu nga ato negociata. Ai shfaqi besimin se në bisedat e tij me përfaqësuesit e lartë evropianë dhe botërorë nuk ka pasur përshtypjen se ata duan ta shkatërrojnë popullin dhe shtetin maqedonas. Me propozimin francez, tha Pendarovski, historia nuk është kusht dhe ka vetëm një fjali si në propozim ashtu edhe në protokolle. Ekziston sugjerim që historianët të takohen më shpesh. “Jam i bindur se nuk kemi mundur të arrijmë më shumë se pozicioni i vendit kandidat për anëtarësim”, deklaroi presidenti Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurisë, duke sqaruar qëndrimet e tij në lidhje me propozimin e modifikuar francez. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR