• e shtunë, 23 nëntor 2024

Pendarovski: Polonia është një mbështetës i jonë i zëshëm, dialogu politik mes dy vendeve është në nivelin më të lartë

Pendarovski: Polonia është një mbështetës i jonë i zëshëm, dialogu politik mes dy vendeve është në nivelin më të lartë
Shkup, 24 tetor 2022 (MIA) – Polonia gjithmonë ka qenë mbështetësi ynë parimor dhe i zëshëm, ndërsa në periudhën e ardhshme mbështetja polake do të forcohet jo vetëm në rrafsh bilateral, por edhe përmes Grupit të Vishegradit si dhe përmes forumeve të tjera rajonale në të cilën është anëtare. Mbështetja në kuadër të BE-së kuptohet. Rritet edhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, por në periudhën e ardhshme duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë në këtë aspekt, konstatuan në takimin e sotëm presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë, Stevo Pendarovski dhe Andzhej Duda. Presidenti Pendarovski i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Poloni, në konferencën për shtyp pas takimit me Dudën, theksoi se dialogu i intensifikuar politik midis dy vendeve është në nivelin më të lartë në vitet e fundit edhe në kohë krizash globale. “Me presidentin Duda biseduam për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe fillimin e negociatave tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Polonia ka qenë gjithmonë mbështetësi ynë parimor dhe i zëshëm dhe në këtë drejtim përshëndes gatishmërinë e nikoqirëve tanë për të shfrytëzuar përvoja dhe ekspertiza të tyre gjatë procesit të negociatave. Besoj se në periudhën e ardhshme, mbështetja polake do të forcohet jo vetëm në plan bilateral, por edhe përmes Grupit të Vishegradit si dhe përmes forumeve të tjera rajonale në të cilat është anëtare”, tha Pendarovski. Temë boshte e takimit, siç theksoi Pendarovski ka qenë lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj. Presidenti ka potencuar se do të vazhdojmë të sigurojmë ndihmë ushtarake dhe humanitare për popullin ukrainas. “Me këtë rast nga këtu, nga Varshava dua edhe një herë të konfirmojë pozicionin tonë se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet një partner konstruktiv i aleancës perëndimore në përgjigjen ndaj agresionit rus përmes zbatimit të plotë të masave restriktive të BE-së si dhe mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha Pendarovski. “Ne e vlerësojmë lartë kryesimin polak me OSBE-në këtë vit dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të kontribuojmë edhe më intensivisht në uljen e pasojave të luftës përmes kryesimit të vendit tonë me këtë organizatë vitin e ardhshëm 2023”, shtoi Pendarovski. Lidhur me krizën ekonomike, Pendarovski tha se edhe pse është i pakontestueshëm fakti se mes Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë rritet bashkëpunimi ekonomik, bashkërisht është konstatuar se në periudhën e ardhshme duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në këtë aspekt. Presidenti Pendarovski mes tjerash theksoi edhe bashkëpunimin në arsim dhe kulturë, si shembull i suksesshëm në marrëdhëniet maqedono-polake dhe ndërtimin e lidhjeve arsimore, gjuhësore dhe kulturore. Nesër, në ditën e dytë të vizitës së tij në Poloni, ai do t'ia kushtojë mu këtij bashkëpunimi.  

QËNDRONI TË LIDHUR