• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski: Osmani dhe Begaj bënë thirrje për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë sipas shembullit të Nënës Terezë

Pendarovski: Osmani dhe Begaj bënë thirrje për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë sipas shembullit të Nënës Terezë

Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) - Gjithnjë kemi qenë pjesë e një hapësire të përbashkët dhe do të vazhdojmë të jemi. Për këtë duhet t'i tejkalojmë ndasitë, urrejtjet nga e kaluara, të falim njëri - tjetrin për mëkatet e vjetra dhe të vazhdojmë më tutje. Në Ballkan kemi parë shumë të këqija, varfëri, luftëra, urrejtje dhe zemërim, megjithatë , në emër të së tashmes dhe të ardhmes më të mirë, na nevojitet bashkëpunim dhe mirëkuptim, jo si formë, por në thelb.

Këtë e theksoi presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në inaugurimin e sotëm të bustit të Nënës Terezë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup në të cilën morën pjesë edhe presidentët e Kosovës dhe të Shqipërisë, Vjosa Osmani - Sadriu dhe Bajram Begaj, si dhe funksionarë të tjerë në shtet. 

Pendarovski tha se figura e Nënës Terezë në hapësirën e ambasadës së Kosovës do të na kujtojë për pastërtinë e saj morale dhe kujdesit për të sëmurët dhe të varfrit. 

"Do të na kujtojë një figurë mbresëlënëse që duhet të na frymëzojë të japim dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin si fqinjë më të afërt dhe miq të sinqertë", tha presidenti Pendarovski, i cili shtoi se mjedisi multietnik, multikulturor dhe multifetar në Maqedoni në të cilin Gonxhe Agnes Bojaxhiu u rrit, është ende shembull i bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu, theksoi se tre shtetet fqinje i lidh historia personale e Nënës Terezë.

"Sot jemi këtu tre shtete fqinje me të cilat ka lidhje historia personale e Nënës Terezë. Duke u bashkuar të gjithë në adhurim dhe respekt ndaj shenjtores sonë si simbol i miqësisë dhe marrëdhënieve tona dypalëshe dhe një të ardhmeje të ndritur euroatlantike", tha Osmani-Sadriu.

Presidentja theksoi se afërsia historike dhe qëllimi i përbashkët euroatlantik janë qëllimi dhe shpresa e përbashkët. 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj , tha se ashtu si ishte shërbimi i Nënës Terezë, ashtu duhet të jetë edhe përkushtimi i përbashkët që kjo t'iu transmetohet gjeneratave të ardhshme. 

"Jemi të nderuar që jemi pjesë e trashëgimisë së saj etnike dhe kulturore. Duhet me respekt dhe përkulje ta ruajmë këtë trashëgimi, të jemi afër njerëzve, veçanërisht atyre të cilëve më së shumti u duhet kjo", tha Begaj. 

Nëna Terezë (Gonxhe Agnes Bojaxhiu) ose Shën Tereza nga Kalkuta ishte murgeshë katolike, fituese e Çmimit Nobel për Paqe dhe shenjtore në botën katolike e lindur në Shkup. 

Për punën e saj humanitare ka marrë më shumë se 700 shpërblime dhe konsiderohet si personaliteti më i shpërblyer i shekullit XX. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR