• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski: Ne kemi nevojë për lidhje të ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe diasporës

Pendarovski: Ne kemi nevojë për lidhje të ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe diasporës

Shkup, 24 shtator 2023 (MIA) - Presidenti Stevo Pendarovski gjatë vizitës së tij të punës në SHBA me rastin e pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara, dje pasdite në Çikago, si mysafir i nderuar, mori pjesë dhe u drejtua në darkën e donatërove “Rrugët drejt prosperitetit” organizuar nga “Maqedonia2025”.

Siç kumtoi Kabineti i Presidentit, në ceremoni Pendarovski nderoi kryeshefin ekzekutiv të Boeing, Dejvid L. Kalhun me Urdhrin "8 Shtatori" për kontributin e veçantë dhe të përkushtuar në zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve strategjike dhe afariste maqedono-amerikane dhe në përparimin ekonomik të vendit tonë.

Presidenti Pendarovski ndau edhe mirënjohjen “Diaspora Recognition Awards 2023”, të cilën Maqedonia 2025, nën patronatin e tij, ua ndau Stanli Tomas dhe Vlatko Andonovski, për nder të kontributeve dhe arritjeve të tyre.

Ai theksoi se "Maqedonia 2025" është një nga organizatat udhëheqëse të diasporës maqedonase, e përkushtuar ndaj zhvillimit dhe përparimit ekonomik të atdheut tonë dhe qytetarëve të tij që nga themelimi i saj në vitin 2007. Me inicimin dhe organizimin e këtij eventi, siç tha ai, konfirmojnë edhe një herë rëndësinë dhe vizionin e tyre për të ardhmen tonë më të mirë.

Kreu i shtetit thekson se kemi nevojë për organizata dhe individë që kontribuojnë në ndërtimin e lidhjeve të ngushta dhe produktive ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe diasporës së saj.

"Kjo ndonjëherë nënkupton tejkalimin e pritshmërive të mëdha që ekzistojnë këtu, por edhe te bashkatdhetarët në vendlindje. Ajo që duhet të bëjmë së pari është të lëmë mënjanë sentimentalitetin dhe emocionet, sepse ajo që na duhet është pragmatizmi. Ajo që na duhet është një situatë në të cilën të gjithë jemi fitues dhe prandaj përpjekja jonë e përbashkët duhet të jetë hapja e rrugëve për komunikim më të ngushtë mes nesh, që synon iniciativa dhe investime të reja", tha Pendarovski.

Presidenti Pendarovski tha se duhet të jemi të kujdesshëm, t'i përdorim me mençuri resurset që kemi në dispozicion dhe të gjejmë mënyrën për t'i ndihmuar më të prekurit."Kjo mund të arrihet vetëm me ndjeshmëri, bashkim dhe solidaritet. Le t'i lëmë për një moment ambiciet tona personale dhe të ndajmë një pjesë të kohës për të kontribuar në të mirën e kombit", tha Pendarovski.

Sipas tij, vetëm duke ndjekur shembullin e liderëve tanë të mëdhenj dhe duke punuar së bashku, do të mund të kontribuojmë shumë më tepër për një vend shumë më të avancuar.

"Me ne sonte është Dejvid Kalhun, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Boing. Si gjest simbolik i mirënjohjes në emër të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, dëshiroj ta nderoj me Urdhrin "8 Shtatori", një nga dekoratat më të larta shtetërore, si mirënjohje për kontributin e tij të paçmuar në ndërtimin e marrëdhënieve afariste maqedono-amerikane dhe mbështetje për ekonominë e vendit tonë. E dini, me kalimin e kohës, disa angazhime profesionale shkojnë përtej komunikimit afarist dhe vendosin baza të forta për miqësi afatgjata", tha Pendarovski.

 

Në darkën e donatorëve u festua kultura dhe tradita maqedonase, ndërsa të ftuarit dëgjuan muzikë maqedonase dhe shijuan kuzhinën maqedonase. ls/

Foto: Kabineti i presidentit Stevo Pendarovski

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR