• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski: Multilateralizmi i ripërtërirë dhe i forcuar është përgjigje ndaj kërcënimeve të sotme, nevojiten reforma të brendshme në KB

Pendarovski: Multilateralizmi i ripërtërirë dhe i forcuar është përgjigje ndaj kërcënimeve të sotme, nevojiten reforma të brendshme në KB

Shkup, 22 shtator 2023 (MIA) - Çdo vit, gjatë kësaj periudhe, sytë e botë4s drejtohen në tubimin më të madh, në të cilin liderët politikë të kombeve parashtrojnë vizionet e tyre për të ardhmen. Këtë vit, fokusi tek të gjithë ne është ndoshta më i madh se kurrë më parë, e arsyeja është fakti dërrmues që emërtuesi më i vogël i përbashkët i gjendjes emocionale të njerëzimit sot është - frika. Frika nga luftërat, nga uria dhe varfëria, nga pandemitë, nga kataklizmat ekologjike, frika për të ardhmen e të dashurve tanë. Është një fakt notor që rendi ndërkombëtar është lëkundur tërësisht në disa pika të botës.

Këtë e tha Presidenti Stevo Pendarovski nga foltorja e Kombeve të Bashkuara në kuadër të Debatit të përgjithshëm. Asambleja e Përgjithshme, në Nju Jork. Ai theksoi se agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës vazhdon me egërsi të pandërprerë, që është, siç thotë ai, shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, në vazhdimësi. Sipas tij, kjo është kriza më e madhe e sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me pasoja globale që ndjehen pak a shumë në të gjitha kontinentet dhe ai theksoi se me çdo ditë që kalon, vuajtjet e popullit ukrainas po rriten, të mirat materiale po shkatërrohen dhe rritet rreziku i përshkallëzimit.

"E dënojmë ashpër agresionin kundër Ukrainës, ashtu siç këtë r bënë edhe një numër i madh i anëtarëve të organizatës sonë.  Ne mbështesim tërheqjen e pakushtëzuar të trupave pushtuese ruse dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Karta e Asamblesë Botërore në këtë kuptim është e qartë si kristali - të gjitha çështjet e hapura kudo në botë duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, përmes bisedimeve dhe dialogut, duke mohuar përdorimin e forcës", tha Pendarovski.

Ai shtoi se lufta në Ukrainë është shembulli më eklatant, por, për fat të keq, shprehet ai, nuk është shembulli i vetëm i kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë botërore. Arkitektura planetare e sigurisë, në bazën e së cilës është pikërisht kjo organizatë, është veçanërisht e lëkundur, bën të ditur Pendarovski, kur një shtet, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sulmon në mënyrë të paligjshme një shtet anëtar të organizatës së njëjtë.

"Jorastësisht, kohët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi se rreziku i një katastrofe bërthamore, sot është në nivelin më të lartë që nga fundi i Luftës së ftohtë. Ky alarm nga niveli më i lartë i Organizatës duhet të jetë një thirrje për çdo udhëheqës të arsyeshëm politik për mobilizim global për të ruajtur paqen, pa dyshim, vlerën më të madhe të njerëzimit. Është çasti i fundit për të heshtur daullet e luftës, për të respektuar Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke filluar nga pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve, si parim themelor dhe arsye kryesore për ekzistimin e organizatës botërore", theksoi Pendarovski .

Paqja është në qendër të gjithçkaje, megjithatë, bota po përballet me sfida të një formati të ndryshëm dhe për t'i zgjidhur ato, siç thotë ai, nuk është e mjaftueshme të ketë paqe ndërmjet shteteve, por edhe besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

“Është e qartë se besimi, i ndërtuar gjatë dekadave, në pjesën më të madhe pikërisht në këtë ndërtesë, është dëmtuar rëndë dhe se do të na duhet kohë, përpjekje dhe para së gjithash vullnet politik për ta vendosur atë sërish. Pavarësisht nga të gjitha dallimet që ekzistojnë ndërmjet nesh – politike, ekonomike ose kulturore – ne duhet të veprojmë së bashku në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm. Alternativat e dialogut ndërmjet kombeve janë të frikshme, ndërsa çdo vonesë përsëri do të na përballë me të njëjtin kërcënim, me atë që çmimin që do të duhet të paguajmë atëherë do të jetë shumë më i lartë", theksoi Pendarovski në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ai bëri të ditur se lufta në Ukrainë krijon një gjendje të paparashikueshmërisë së përgjithshme dhe krizave që nxiten në mënyrë reciproke, veçanërisht në furnizimin me ushqim dhe energjensa. Mungesa e ushqimit kërcënon më të varfrit dhe kërcënon në shumë pjesë të botës të shkaktojë fatkeqësi humanitare të përmasave të papara. Në këtë kontekst, shprehet ai, mbështesim plotësisht përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm për të sjellë në fuqi marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, sepse është plotësisht e papranueshme që ushqimi dhe energjia të përdoren si armë për të arritur qëllime ushtarake ose politike.

Presidenti Pendarovski iu referua, mes tjerash, edhe rëndësisë së solidaritetit global, koncept ky që, siç shprehet ai, nuk është i ri, për çka shembull është Shkupi, i cili pas tërmetit të viteve të 60-ta u ngrit nga hiri, falë solidaritetit global.

Është e nevojshme, tha ai, me vendosmëri të madhe të adresojmë problemin e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, duke bërë të ditur se pa dyshim, bota po përballet me sfidë ekzistenciale, ndërsa kundërpërgjigjja e vetme e suksesshme është e mundur, vetëm nëse të gjithë bashkohemi në një platformë të vetme. 

"Instrumentet e domosdoshme siç është Pakti klimatik për solidaritet përmes të cilit ato të zhvilluarit ofrojnë mbështetje financiare dhe teknike për ekonomitë në zhvillim janë tashmë të vendosura: një tranzicion i drejtë drejt ekonomisë së gjelbër është i mundshëm, por vetëm me zbatimin e tyre përkatës. Sipas "Agjendës së përshpejtuar të veprimit klimatik", vendet e zhvilluara jo vetëm që duhet të arrijnë emetime zero neto deri në vitin 2040, por gjithashtu të mbajnë premtimet e tyre për vendet në zhvillim duke dyfishuar burimet për përshtatjen dhe plotësimin e Fondit të gjelbër klimatik", tha Pendarovski.

Kërcënimet më të mëdha të sotme: turbulencat gjeopolitike, luftërat, terrorizmi, ndryshimet klimatike ose valët masive migruese, ndodhin në periudhë kur organizatat ndërkombëtare dhe i gjithë sistemi multilateral po kalojnë një krizë identiteti ose funksionaliteti, e më shpesh edhe të dyja.

"Përgjigjja e vetme reale mund të jetë vetëm multilateralizmi i përtëritur dhe forcuar që do të respektojë nevojat e secilit shtet individualisht, por gjithashtu do të ofrojë vizion të qartë të pasqyrës së madhe, për gjërat që na lidhin, për të mirën e përgjithshme. Nuk ka vend më të përshtatshëm për këtë përpjekje të përbashkët sesa Kombet e Bashkuara.  Nevoja urgjente e njerëzimit sot është kthimi i parashikueshmërisë, paralajmërimit të hershëm dhe parandalimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e qartë se reformat e brendshme të sistemit të Kombeve të Bashkuara janë parakusht, duke respektuar parimet e përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes më të madhe, në mënyrë që të pasqyrojnë realitetet e botës së sotme", nënvizoi Pendarovski.

Me këtë rast, shtoi ai, është i nevojshme etablimi i mekanizmave për funksionalitet më të mirë, por në të njëjtën kohë edhe për reduktimin e opsioneve për paralizë të Organizatës. Dhe në këtë kontekst, tha ai, ne japim mbështetjen tonë të plotë për mbajtjen e takimit ministror si përgatitje për Samitin e së ardhmes që do të mbahet në vitin 2024.

"Sigurisht, mbetet nevoja për zgjidhjen e problemeve të vjetra, duke adresuar paralelisht sfida të reja, edhe pse disa prej tyre, siç janë lajmet e rreme dhe kërcënimet kibernetike, tashmë janë pjesë e jetës sonë. Disa të tjera, megjithëse të një date më të re, siç është inteligjenca artificiale, për shembull, tashmë po shkaktojnë ndryshime të mëdha në jetën tonë. Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pa një pakt të përbashkët për të ardhmen, asnjë vend apo grup vendesh nuk do të ofrojë dhe implementojë vetë përgjigjet për këto sfida", theksoi ai.

Pendarovski, duke iu referuar zhvillimit të shtetit, theksoi se që nga dita e parë e pavarësisë sonë, më shumë se 30 vjet më parë, vendi në mënyrën më të mirë të mundshme ka manifestuar angazhimin e tij ndaj parimeve të paqes, bashkëpunimit të thelluar rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura përmes dialogut në dhe vazhdon ta bëjë këtë përmes kryesimit të OSBE-së këtë vit.

"Këtë vit, kryesojmë OSBE-në, organizatën më e madhe rajonale e sigurisë, në një kohë të mbushur me sfida të pashembullta, por edhe në kushte të tilla, përpiqemi të ruajmë relevancën e Organizatës, duke filluar nga parimet themelore të Kartës së OKB-së dhe Aktit përfundimtar të Helsinkit. Mbetemi në mesin e promotorëve më të mëdhenj të bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, duke u përpjekur, në të njëjtën kohë, të përmbushim kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, jo më vonë se në vitin 2030. Te ne nuk ka asnjë dilemë se forcimi i institucioneve demokratike, në mënyrë të vazhdueshme, me barazi të garantuar të të gjithë qytetarëve, është mënyra e e vetme e mundshme për kohezion më të madh në një shoqëri multietnike", theksoi kreu i shtetit. 

Sipas tij, është detyrim i liderëve politikë që të zëvendësojnë ndjenjën e frikës e cila ekziston me besimin për një botë më të mirë.

"Në fillim e ceka se frika nga e ardhmja është ndoshta ndjenja më dominuese në botë sot. Mirëpo, kjo nuk duhet të jetë e pranueshme si një gjendje normale. Para nesh, liderët politikë e mbledhur këtu, e kanë për detyrim, këtë ndjenjë të frikës, ta zëvendësojnë me shpresë dhe besim për një botë më të drejtë. Parakusht për këtë është të arrijmë, pa vonesë, një marrëveshjeje të ripërtërirë për respektimin e vlerave themelore dhe idealeve humane për shkak të cilave edhe u themelua kjo organizatë 78 vjet më parë", porositi Pendarovski para pjesëmarrësve në debatin e përgjithshëm. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Foto: kabineti i Presidentit

 

QËNDRONI TË LIDHUR