• e martë, 24 dhjetor 2024

Pendarovski: Më shumë dhemb bllokada e brendshme e shtetit në rrugën drejt BE-së

Pendarovski: Më shumë dhemb bllokada e brendshme e shtetit në rrugën drejt BE-së

Koçan, 18 prill 2024 (MIA) - Pas 17 viteve me status të vendit kandidat për anëtarësim në BE, të gjithë ne, kjo udhëheqje politike, me mbështetjen tuaj kemi hapur negociatat, por jemi ballafaquar me dy bllokada, nga jashtë nga Bullgaria fqinje, por edhe bllokada e brendshme e cila më shumë dhemb, nga partia më e madhe opozitare, tha sonte në fushatën parazgjedhore në Koçan, kandidati për president Stevo Pendarovski. 

"Thonë se ato marrëveshje nuk do t'i pranojnë dhe nëse vijnë në pushtet do t'i anulojnë, në vend që t'i hapin dhe të shohin se çfarë shkruan në to, se maqedonasit ekzistojnë, se gjuha maqedone ekziston dhe këtë askush nuk mund ta mohojë. Na thonë se vetëm si bullgar mund të hyjmë në BE, por kjo nuk është e saktë, sepse marrëveshjet janë në internet, lexoni ato. Kjo është një gënjeshtër e madhe që shërben vetëm për të mashtruar popullin për të ardhur në pushtet, pa marrë parasysh interesat e qytetarëve. Ofrojnë të anulojnë të gjitha marrëveshjet, të rivendosin ndarjet dhe të qeverisin në të njëjtën mënyrë si më parë, pa zgjidhur një problem të vetëm strategjik. Ne këtë nuk do t'ua lejojmë në mënyrë demokratike në zgjedhje", theksoi Pendarovski.

Në fjalimin e tij Pendarovski u përgjigj në pyetjet e të pranishmive në fushatë, ku theksoi se mbetet i mendimit se vetingu duhet në drejtësi, por duhet të përfshijë edhe politikanët, disa dekada më parë. Lidhur me akuzat e opozitës për lidhjen e tij me strukturat kriminale në Greqi, Pendarovski theksoi se është e lehtë të kontrollohet statusi i pasurisë dhe nëse ka para të fituara ilegalisht nga jashtë, duke theksuar se pikërisht në rrethin më të ngushtë të kandidates për president të VMRO-DPMNE-së ka njerëz që nuk do ta kalonin vetingun.

Pasdite kandidati për president Pendarovski ka mbajtur tubim edhe në Vinicë, ku përkujtoi se edhe pse sot është kundër, kohë më parë Hristjan Mickoski i tha kryeministrit të atëhershëm bullgar se e përkrah Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. "Ai sigurisht harron që interneti nuk harron, mund të na gënjejë se nuk e ka thënë këtë, por i thotë në gjuhën e pastër bullgare “do ta mbështesim atë marrëveshje”. Kur Mickoski thotë se vetëm si bullgarë mund të hyjmë në BE, ai nuk dëshiron të thotë tjetër deklaratë të tij dhe qëndrimit të partisë së tij politike se ata janë trashëgimtarë të Vanço Mihailovit. Kështu thoshte kreu i VMRO-së historike të asaj kohe dhe kryetari i sotëm i VMRO-DPMNE-së në kontinuitet, ai konsiderohet pasardhës i Vanço Mihailovit. Të gjithë e dini se Mihailov është deklaruar bullgar gjatë gjithë jetës së tij, shtoi Pendarovski. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR