• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pendarovski: Fronti i gjerë për mbështetje është obligim për të siguruar fitore të re

Pendarovski: Fronti i gjerë për mbështetje është obligim për të siguruar fitore të re

Shkup, 3 mars 2024 (MIA) - Fronti i gjerë për mbështetje nuk është vetëm nder, por edhe obligim për një fushatë të përkushtuar, të ndershme dhe të guximshme dhe për të siguruar fitore të re, porositi sonte presidenti aktual Stevo Pendarovski, pasi mori mbështetjen për kandidaturën për mandat të dytë në Kongresin e LSDM-së.

Media ekipi “President për të gjithë” i Pendarovskit kumtoi se me vendim të Kongresit, rrumbullakohet fronti i gjerë për mbështetje nga subjektet politike dhe qytetarët për kandidimin për mandat të dytë për president.

"Në kongresin e sontëm, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë e konfirmoi mbështetjen për kandidaturën time për mandat të dytë. I falënderoj për besimin e dhënë. Gjatë ditëve të kaluara kam marrë mbështetje publike për mandatin e dytë nga qytetarët, disa prej tyre fytyra publike, profesorë universitar, punonjës të kulturës, njerëz që më njohin. Sot shumë qytetarë me nënshkrimet e tyre dhanë mbështetjen dhe për vetëm për pak orë kemi mbledhur më shumë se 10.000 nënshkrime të nevojshme", thekson Pendarovski në deklaratën me shkrim. Ai ka falënderuar për mbështetjen dhe thekson që të punohet në krijimin e një shoqërie ku do të vlerësohet çdo potencial.

"Të vazhdojmë të punojmë për krijimin e një shoqërie të hapur, kreative, inovative dhe demokratike ku do të ketë vend për secilin, ku do të vlerësohet potenciali i secilit dhe secili do të ketë mundësinë të ketë sukses këtu në shtëpi. Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Vazhdojmë së bashku!", nënvizoi Pendarovski.

Ai më herët në fjalimin para delegatëve të Kongresit ka theksuar se pret fitore të dyfishtë të LSDM-së si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare. "Kemi vlerat dhe potencialet tona dhe jemi më të mirë se ata", ka thënë Pendarovski duke drejtuar kritika ndaj oponentit politik VMRO-DPMNE.

Ai vlerësoi se anketat e partisë opozitare janë të rrejshme dhe se ajo nuk ka qëndrim për asnjë çështje kyçe për shtetin.

"Anketat reale që ata nuk ia ofrojnë publikut janë se ata kanë rënë nën 45 deputetë, ndërsa ne jemi mbi 50. Nuk është aspak i rastësishëm rezultati i sotëm i LSDM-së në mbledhjen e nënshkrimeve. Trendët nga kohë më parë kanë ndryshuar", ka thënë Pendarovski i cili mori mbështetjen unanime nga 706 delegatë në Kongresin e LSDM-së.

Foto: Media "president për të gjithë"

 

QËNDRONI TË LIDHUR