• e premte, 27 dhjetor 2024

Pendarovski: Është detyra jonë të mundësojmë zbatim efikas dhe jo selektiv të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi

Pendarovski: Është detyra jonë të mundësojmë zbatim efikas dhe jo selektiv të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi

Shkup, 28 shkurt 2023 (MIA) - Diskriminimi është një nga kërcënimet më të mëdha për të drejtat dhe liritë e njeriut. Ligji aktual për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi përcakton mekanizmat, masat dhe aktivitetet për mbrojtje ligjore dhe është plotësisht në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare në këtë fushë dhe është detyrimi ynë që të mundësojmë zbatimin e tij efikas dhe pa dallim ashtu siç i takon një shoqërie të hapur dhe demokratike.

Këtë e bëri të ditur presidenti Stevo Pendarovski në hapjen e konferencës “A është Republika e Maqedonisë së Veriut vend i drejtë?”. Si mund të avancojnë institucionet bashkërisht në luftën kundër diskriminimit?”, organizuar nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Duke iu referuar të dhënave nga anketa e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve dhe Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, kreu i shtetit tha se duhet një angazhim i konsiderueshëm nga të gjithë faktorët kompetentë në shoqëri për të përmirësuar situatën.

Sipas hulumtimit, bazat më të zakonshme për diskriminim janë përkatësia politike dhe etnike, veçanërisht në fushën e punësimit, shëndetësisë dhe shërbimeve administrative.

“Veçanërisht duhet të na shqetësojë fakti që mbi dy të tretat e të anketuarve nuk do të parashtronin ankesë në një institucion shtetëror në rast të diskriminimit, kryesisht për shkak të mosbesimit në sistem. Mbi 80 për qind e të anketuarve besojnë se institucionet nuk i trajtojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Gjithashtu, më të varfrit, personat me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarët e komunitetit rom janë ndër më të diskriminuarit në mesin e bashkëqytetarëve tanë”, theksoi Pendarovski.

Ka shumë arsye për diskriminim, tha presidenti Pendarovski, ne i dimë dhe i jetojmë ato, gjatë gjithë këtyre viteve: nga stereotipat dhe frika nga ata që janë të ndryshëm nga ne, partizimi me dekada i institucioneve, etnizimi i politikës dhe besimi i zvogëluar i qytetarët në strukturat shtetërore si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.

“Për të reduktuar në mënyrë drastike diskriminimin sistemik, është e nevojshme që ai të trajtohet nga disa këndvështrime. Rolin qendror në këtë proces e ka Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në më pak se tre vjet ka shqyrtuar qindra parashtresa apo ankesa dhe ka marrë vendime dhe mendime. Komisioni, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Avokatin e Popullit, e përbën thelbin e luftës kundër diskriminimit sistematik, promovimin e barazisë dhe avancimit të të drejtave të njeriut dhe me këtë eliminimin e të gjitha llojeve të diskriminimit”, theksoi Pendarovski.

Ai tha se është e nevojshme që të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë para së gjithash, siç tha ai, faktorët politikë, t'i japin mbështetje të plotë Komisionit që të punojë pa probleme dhe me kapacitet të plotë.

“Parandalimi dhe mbrojtja nga diskriminimi nuk është detyrim vetëm për Komisionin, por edhe për çdo institucion shtetëror që duhet të jetë shembull në këtë drejtim. Institucionet, veçanërisht autoritetet gjyqësore, duhet të kontribuojnë në këtë përpjekje duke zbardhur të gjitha rastet e raportuara në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. U bëj thirrje organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile që të ngrejnë edhe më shumë zërin dhe të vënë në dukje sa herë që ndonjë nga grupet vulnerabël të bashkëqytetarëve përballet me çfarëdo lloj diskriminimi. Natyrisht, kontributin e vet duhet ta japë edhe sektori i biznesit, i cili duhet t'i ndrydhë rastet e diskriminimit në punën e tyre sa herë që shfaqen”, shtoi Pendarovski.

Vitin e kaluar, Kabineti i Presidentit nënshkroi Memorandum për bashkëpunim me Komisionin për të koordinuar aktivitetet e tyre për mbrojtjen dhe gëzimin e plotë dhe të barabartë të të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut.

Në Kornizën Zhvillimore 2030 MKD, theksoi kreu i shtetit, një nga prioritetet është zhvillimi gjithëpërfshirës, ​​i cili ngushton hapësirën për diskriminim mbi çdo bazë dhe nënkupton respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë sektorët.

"Kjo nënkupton inkorporim sistematik të standardeve dhe normave ndërkombëtare, ndërtim kohezion më të mirë social, ofrimin e ndihmës juridike falas për kategoritë e cenueshme dhe zhvillimin e mekanizmave funksionalë për të mundësuar barazinë gjinore në vend", tha Pendarovski dhe porositi se duke u udhëhequr nga parimet e drejtësisë dhe paanësisë duhet  të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri në të cilën edhe më të pambrojturit prej nesh do të gëzojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Në konferencën, ku do të ketë disa panele, fjalim do të kenë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, Avokati i Popullit Naser Ziberi, kryetari i KPMD-së Ismail Kamberi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Methju Loson dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve, Neda Maleska-Saçmaroska.

 

QËNDRONI TË LIDHUR