• e diel, 24 nëntor 2024

Pejçinoviq Buriq: Vdekja e Navalnit është kujtesë e shpërfilljes së të drejtave të njeriut në Rusi

Pejçinoviq Buriq: Vdekja e Navalnit është kujtesë e shpërfilljes së të drejtave të njeriut në Rusi

Strasburg, 16 shkurt 2024 (MIA) - Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq -Buriq shprehu keqardhjen për vdekjen e liderit të opozitës ruse Aleksej Navalni në burgun në Rusi, duke kërkuar që autoritetet të kryejnë hetim të menjëhershëm dhe të plotë.

"Jam thellësisht e shqetësuar dhe e indinjuar nga lajmi i vdekjes së papritur të liderit të shquar të opozitës ruse Aleksej Navalni në një burg rus. Autoritetet ruse duhet të kryejnë një hetim të menjëhershëm dhe të plotë dhe të publikojnë gjetjet e tyre në përputhje me detyrimet e tyre ndërkombëtare", theksoi Pejçinoviq Buriq në reagim. 

Sipas saj, fati tragjik i Navalnit nuk mundë të konsiderohet i ndarë nga mospërfillja e të drejtave të njeriut me të cilin u përball, përfshirë edhe atentatin ndaj tij në tentativë tre vjet më parë, serinë e çështjeve kriminale të motivuara politikisht, si dhe burgosjen dhe ndalimin e tij të padrejtë në kushte çnjerëzore dhe degraduese.

"Për fat të keq, thirrjet e mëparshme të Këshillit të Evropës për lirimin e tij bazuar në vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të cilat Rusia ka detyrim t'i zbatojë u shpërfillën", theksoi Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se me vendimin për tu kthyer në Rusi para tre vitesh, Navalni me guxim sfidoi "sistemin jo të lirë dhe të padrejtë të Rusisë të bazuar në represionin dhe heshtjen e vazhdueshme dhe brutale të kundërshtarëve".

"Sakrifica e tij nuk është vetëm një kujtesë e qartë e shpërfilljes së plotë e të drejtave të njeriut të qytetarëve të vet nga ana e Rusisë, por edhe një dëshmi e kostos së lartë të mbrojtjes së vlerave të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës", theksoi Pejçinoviq -Buriq duke shprehur ngushëllime të sinqerta dhe solidaritet me familjen e tij dhe kolegëve në emër të Këshillit të Evropës. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR