• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Peci: Kosova pa mbështetje nga SHBA-ja dhe BE-ja, i është lënë vetvetes

Peci: Kosova pa mbështetje nga SHBA-ja dhe BE-ja, i është lënë vetvetes

Prishtinë, 7 gusht 2024 (MIA) - Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) nga Prishtina dhe ish diplomati kosovar, Lulzim Peci, deklaroi se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës "në veri të vendit, janë duke e thelluar çarjen mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo ka para vetes një partner i cili është i paparashikueshëm”.

Ai për Radio Evropa e Lirë (REL) vlerësoi se "Kosova po shkon drejt një përplasjeje të madhe me bashkësinë ndërkombëtare” dhe theksoi: “megjithatë Kosova nuk ka kapacitete që ta dëmtojë bashkësinë ndërkombëtare. Mund të dëmtojë vetëm veten”.

"Po, çarja është duke u thelluar, sepse partneriteti nuk mund të ndërtohet nëse nuk konsultohen palët, të cilat kanë përgjegjësi të sigurisë në veri të vendit. Edhe çarja, mendoj që tashmë është thelluar shumë, sepse bashkësia ndërkombëtare ka përpara një partner të vetin. Si e shikon ajo në këtë mënyrë një partner, i cili nuk është i parashikueshëm, dhe i cili ndërmerr veprime pa konsultime paraprake në këtë pjesë të vendit, duke i pasur parasysh përgjegjësitë në fushën e sigurisë", sqaroi Peci.

Sipas tij, në aksionet për mbylljen e degëve të Postës Serbe në Kosovë, “nuk bëhet fjalë vetëm për zbatimin e ligjit, por edhe për implikime për sigurinë në atë pjesë të vendit”.

Ai shtoi se zbatimi ligjit duhet të bëhet " në konsultim edhe në koordinim me ata, të cilët kanë përgjegjësi të sigurisë në atë pjesë të vendit". "Mos të harrojmë që Kosova nuk e ka sovranitetin e plotë edhe derisa KFOR-i e ka këtë mandat, të cilin e ka sot, dihet se si janë gjërat. Edhe këtu qëndron problemi, nuk qëndron problemi te zbatimi i ligjit. Problemi qëndron në atë se a jemi partnerë të besueshëm apo jo? Këtu qëndron, këtu është çështja kyç e këtij problemi", vlerësoi Peci.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian i ka vënë sanksione Kosovës, por sipas tij, sanksioni më i madh është sjellja e SHBA-së "ajo që ia ka tërhequr përkrahjen që e ka pasur përpara" dhe theksoi "sanksion më të madh nuk ka".

Peci theksoi se kjo shihet në faktin se Kosova nuk e ka më përkrahjen ndërkombëtare të ofruar më parë nga SHBA-ja, duke thënë se “Kosova i është lënë vetvetes dhe ajo tani është vetëm duke u trajtuar në domenin e menaxhimit të konfliktit, asgjë më shumë. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR