• e premte, 27 dhjetor 2024

Patentat e shoferit me etiketën "Republika e Maqedonisë" do të vlejnë deri në fund të vitit

Patentat e shoferit me etiketën

Shkup, 12 shkurt 2024 (MIA) - Kuvendi sot pasdite, me 110 vota "për", asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në kuadër të seancës së 144-të, me procedurë të shkurtuar e miratoi Ligjin për ndryshime në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor sipas të cilit, patentat e shoferit me "Republika e Maqedonisë" do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit. Sipas ndryshimeve, afati për marrjen e patentave të reja të shoferit me etiketën "Republika e Maqedonisë së Veriut" në vend deri sonte në mesnatë, vazhdohet deri më 31 dhjetor 2024.

Ndryshimet ligjore janë me propozim të Nikolla Micevskit, Martin Kostovskit, Vjollca Ademit, Adnan Nezirit, Dimitar Apasievit dhe Pavle Trajanovit.

Siç theksoi koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Micevski, duke i shpjeguar ndryshimet e propozuara, qëllimi është që të gjendet një zgjidhje e shpejtë në interes të qytetarëve dhe lirimit të tyre nga presioni shtesë për nxjerrjen e dokumentave personale.

"Përmes konsensusit të ndërsjellë, të gjithë koordinatorët e partive erdhën në një vendim të përbashkët, në këtë seancë të propozojnë ndryshime në Ligjin për siguri në komunikacion, me procedurë të shkurtuar. Bëhet fjalë për ndryshime të vogla, përkatësisht dispozita në të cilën qëndron 12 shkurt 2024 (sot), ndryshohet me 31 dhjetor 2024 ose deri në fund të vitit. Besojmë se kjo zgjidhje ligjore do të mundësojë uljen e radhëve të gjata të pritjes. Duke pasur parasysh afatet e shkurtra dhe të panjohurat në mesin e qytetarëve, do të apeloj deri te subjektet politike brenda dhe jashtë Kuvendit, të mos e keqpërdorin temën, sepse në këtë moment duhet të gjendet një zgjidhje e shpejtë për dokumentat personale të qytetarëve", theksoi Micevski. 

Për fjalë, para votimit, u paraqitën deputetët Bejxhan Iljaz nga Partia Demokratike e Turqve, Dimitar Apasiev nga e Majta dhe Gordana Siljanovska-Davkova, deputete e pavarur. Iljaz vuri në dukje se ka diskriminim ndaj komunitetit turk, i cili, shpjegoi, duhet të aplikojë për dokumente personale në gjuhë të tjera, jo në gjuhë turke. Ai kërkoi nga institucionet kompetente që të marrin iniciativën për blerjen e menjëhershme të pasaportave në gjuhën turke dhe të korrigjojnë siç tha ai padrejtësinë ndaj turqve në vend. Apasiev vlerësoi se ndryshimet ligjore për patentat e shoferit që tani miratohen, janë të detyrueshme dhe nuk paraqesin zgjidhje përfundimtare. Sipas tij, i njëjti ligj do të duhet të miratohet sërish në dhjetor. Siljanovska-Davkova vlerësoi se edhe Greqia edhe BE-ja e shkelin Marrëveshjen e Prespës.

Sipas vendimit fillestar, patentat e shoferit me etiketën “Republika e Maqedonisë” prej nesër nuk do të vlenin më, jo vetëm jashtë vendit, por edhe në këtë vend. Kryeministri teknik Talat Xhaferi sot, nga Sellca e Tetovës ka njoftuar se do të shkojë në Kuvend dhe se do të shqyrtohen mundësitë për tejkalimin e problemeve me patentat e shoferit. Presidenti Stevo Pendarovski, ndërkaq, dje u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që të gjejnë zgjidhje për patentat e shoferit. ls/ 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR