Pasdite vazhdon debati për amendamentet e ribalancit të Buxhetit
- Në Komisionin Kuvendor për Financim dhe Buxhet edhe sot vazhdon debati mbi amendamentet për ribalancin e Buxhetit. Gjatë seancës së sotme u diskutuan gjithsej 22 amendamente, nga të cilat vetëm një u pranua, i dorëzuar nga deputetët e pushtetit.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:45, 11 korrik, 2025
Shkup, 11 korrik 2025 (MIA) - Në Komisionin Kuvendor për Financim dhe Buxhet edhe sot vazhdon debati mbi amendamentet për ribalancin e Buxhetit. Gjatë seancës së sotme u diskutuan gjithsej 22 amendamente, nga të cilat vetëm një u pranua, i dorëzuar nga deputetët e pushtetit.
Kryetarja e Komisionit, Sanja Llukarevska në fillim të seancës informoi se nga grupi i deputetëve të së Majtës i kanë dërguar një letër duke njoftuar se kishin vendosur të tërheqin një pjesë të amendamenteve të tyre. Nga gjithsej 22 amendamente, 11 ishin dorëzuar nga Fronti Europian, 10 nga E Majta dhe një nga deputetët e pushtetit.
Amendamentet e dorëzuara të cilat u hodhën poshtë lidheshin me ndërtimin e teleferikut Tetovë - Kodra e Diellit, financimin e stadiumit në Tetovë, për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për kulturat bujqësore nga breshëri, për blerjen e qendrave shtetërore të produkteve bujqësore në Prilep dhe Strumicë, për ndërtimin e një kopshti në fshatin Sfillare në Komunën e Sarajit, për ndërtimin e një shtëpie të pleqve në Shkup dhe projekte të tjera infrastrukturore në disa vendbanime.
U pranua vetëm amendamenti i dorëzuar nga deputetët e pushtetit, i cili kishte të bënte me sigurimin e mjeteve në vlerë prej 50 milionë denarë për pagesën e kompensimit për të drejtën e një ndihme të veçantë që e shfrytëzojnë personat me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç dhe personat mbi 26 vjeç, gjegjësisht për personat me aftësi të kufizuara.
Seanca e Komisionit Kuvendor për Financim dhe Buxhet me debatin e amendamenteve për ribalancin e Buxhetit vazhdon në orën 15:30. qa/
Foto: Printskrin nga video