Pas protestës së opozitës në Tiranë, në paraburgim shtatë qytetarë, ndërsa kallëzime penale ndaj 21 deputetëve dhe 19 përfaqësuesve të partisë
- Pas protestës së mbrëmshme të opozitës në Tiranë, me bllokadë prej dy orë e gjysmë të pesë rrugëve kryesore të qytetit dhe përplasjeve me policinë, në paraburgim përfunduan shtatë pjesëmarrës, ndërsa kallëzime penale për 21 deputetë dhe 19 përfaqësues të partive politike.
- Post By Fami Bajrami
- 12:23, 24 dhjetor, 2024
Tiranë, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Pas protestës së mbrëmshme të opozitës në Tiranë, me bllokadë prej dy orë e gjysmë të pesë rrugëve kryesore të qytetit dhe përplasjeve me policinë, në paraburgim përfunduan shtatë pjesëmarrës, ndërsa kallëzime penale për 21 deputetë dhe 19 përfaqësues të partive politike.
"Të paraburgosurit janë të moshës prej 21 deri 59 vjeç, ndërsa akuzohen për vepër penale 'Pengim të zhvillimit normal të trafikut', 'Kundërshtim të punonjësit policor', 'Organizim dhe pjesëmarrje në tubime dhe demonstrata të paligjshme', 'Prishje të rendit dhe qetësisë publike'. Nën akuzat e njejta, kundër 21 deputetëve dhe 19 përfaqësuesve të partive politike janë ngritur kallëzime penale dhe do të mbrohen nga liria", thuhet në kumtesën e policisë.
Shtohet se nga hetimet e deritanishme, rezulton se gjatë protestës, duke bllokuar rrugët kryesore të Tiranës, deputetë apo përfaqësues të subjekteve politike Partia Demokratike, Partia Republikane dhe Partia e Lirisë, kanë bërë thirrje për bllokadë, edhe pse janë paralajmëruar se ajo është vepër penale dhe kanë pasur sjellje të dhunshme ndaj nënpunësve të policisë.
Materialet janë dërguar deri tek Prokuroria e Tiranës për procedurë të mëtutjeshme.
Ndërkohë, policia hodhi poshtë akuzat e liderit demokratik Sali Berisha, për përdorim tejmasë të forcës ndaj Agron Gjekmarkajt, nënkryetar i partisë, deputet dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë, i cili gjithashtu pretendonte se ishte sulmuar nga policia.
Gjekmarkaj në një moment ka humbur ndjenjat gjatë protestës, është ndihmuar menjëherë nga ekipi i ndihmës së shpejtë dhe është transportuar me autoambulancë në klinikën e traumatologjisë, ku mbrëmë e ka vizituar Berisha. Ai sot u lëshua nga spitali.
Berisha, i cili mori pjesë në protestë pas një viti, potencoi se mosbindja civile do të vazhdojë deri në përmbushjen e qëllimeve të tyre, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. rq/bsh/
Foto: Partia e Lirë