• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Parlamenti Evropian ka shpallur një konkurs për çmimin për gazetari “Dafne Karuana Galicia”

Parlamenti Evropian ka shpallur një konkurs për çmimin për gazetari “Dafne Karuana Galicia”

Bruksel, 3 maj 2024 (MIA) – Parlamenti Evropian sot në Ditën Botërore të Lirisë së shtypit - 3 maj publikoi konkurs për paraqitjen e aplikimeve për kandidatë për Çmimin vjetor të gazetarisë “Dafne Karuana Galicia”.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, çmimi ndahet për punë të shquar gazetareske që ka për qëllim promovimin ose mbrojtjen e parimeve dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian, siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i së drejtës dhe të drejtat e njeriut.

Me rastin e shpalljes së konkursit, kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, tha se gazetarët duhet të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre dhe për këtë nuk mund të negociohet.

"Çdo vit, Parlamenti Evropian rinovon angazhimin e tij për të mbështetur lirinë e medias dhe shtypit, në shenjë respekti për gazetaren e patrembur Dafne Karuana Galicia. Dafne u vra, por shpirti i saj jeton në punën e gazetarëve, të cilët, si ajo, mbrojnë të vërtetën, pluralizmin dhe drejtësinë. Ky çmim u takon atyre", theksoi Mecola.

Të drejtë për të marrë pjesë në konkurs kanë gazetarët profesionistë dhe ekipet gazetareske të çdo kombësie, të cilët duhet të paraqesin përmbajtjen e tyre gazetareske të publikuar ose transmetuar nga një media me bazë në një nga 27 vendet anëtare të BE-së.

Laureati do të zgjidhet nga një juri e pavarur e përbërë nga përfaqësues të shoqatave kryesore të gazetarisë evropiane dhe të medias dhe shoqërisë civile nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ceremonia e ndarjes së çmimit në vlerë prej 20.000 euro zhvillohet çdo vit rreth 16 tetorit, datë kur u vra Dafne Karuana Galicia në vitin 2017.

Në vitet e fundit, Parlamenti Evropian ka paralajmëruar vazhdimisht për përpjekjet edhe në BE, por edhe më gjerë, për të minuar pluralizmin mediatik, duke dënuar sulmet ndaj gazetarëve, veçanërisht nga politikanët. Për këtë qëllim, me iniciativën e PE-së, Komisioni Evropian përgatiti legjislacionin kundër padive tendencioze dhe dashakeqe kundër punonjësve mediatik dhe mediave për të heshtur zërat kritikë, i cili u miratua në shkurt të këtij viti, ndërsa muajin e ardhshëm është miratuar edhe Ligji Evropian për Lirinë e Mediave, i cili synon të përmirësojë pavarësinë editoriale, të mbrojë burimet e informacionit të gazetarëve dhe të përmirësojë transparencën rreth strukturës së pronësisë së mediave në Union.

Dafne Karuana Galicia ishte një gazetare malteze, blogere dhe aktiviste kundër korrupsionit, e cila raportoi gjerësisht mbi skandalet e korrupsionit, pastrimin e parave, krimin e organizuar, shitjen e shtetësive dhe lidhjet e Qeverisë së Maltës me "Panama Papers". Pas ngacmimeve dhe kërcënimeve, ajo u vra në një shpërthim auto-bombë më 16 tetor 2017.

Reagimi i opinionit për sjelljen e autoriteteve për hetimin e vrasjes së saj rezultoi në dorëheqjen e kryeministrit maltez Xhozef Muskat. Në hetimin reagoi edhe Parlamenti Evropian, i cili kërkoi nga Komisioni Evropian të ndërmarrë masa.

Tetorin e kaluar, gjashtë vjet pas vrasjes së Karuana Galicias, Parlamenti shprehu shqetësimin se ishte bërë "progres i kufizuar" në procesin gjyqësor rreth vdekjes së saj, i cili rezultoi në vetëm tre vendime dhe bëri thirrje që të gjithë ata që janë përfshirë në këtë rast të sillen para drejtësisë. ls/

Foto: EP

 

QËNDRONI TË LIDHUR