• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Parandalohet kontrabanda e arit, ilaçeve, fotoaparateve dhe pajisjeve për arte marciale

Parandalohet kontrabanda e arit, ilaçeve, fotoaparateve dhe pajisjeve për arte marciale

Shkup, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Monedha ari, ilaçe, fotoaparate, pjesë të telefonave celularë, pjesë të veturave dhe pajisje për arte marciale kanë konfiskuar nëpunës doganorë gjatë javës së kaluar, informoi sot Drejtoria e Doganave. 

Shtetas të huaj që udhëtonin me veturë drejtuar nga shtetasi serb, kanë tentuar të kontrabandojnë ari përmes pikës kufitare "Tabanoc". Ata janë penguar nga doganierët të cilët kanë kontrolluar veturën, me ç'rast në çantën e pasagjeres, shtetase e Ukrainës, kanë zbuluar 5 monedha ari në vlerë prej gjysmë milion denarë. Pas zbulimit të monedhave, si pronar i tyre është paraqitur një pasagjer i tretë, shtetas gjerman i cili poashtu udhëtonte me të njëjtën veturë.

Drejtoria e Doganave njoftoi se në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit është parandaluar kontrabanda e 1200 tabletave Plaquenil që përdoren për trajtimin e personave me sëmundje autoimune. Tabletat u gjetën në valixhen e një shtetase të Bosnjë-Hercegovinës, e cila po kthehej nga fluturimi prej Stambolli.

Fotoaparate profesionale dhe pajisje fotografike janë zbuluar gjatë kontrollit të veturës me targa të Maqedonisë së Veriut,  drejtuar nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, në hyrje të shtetit në vendkalimin kufitar "Tabanoc".

"Telefona celularë dhe 74 pjesë për telefonat celularë me vlerë të përgjithshme prej 204 mijë denarë janë gjetur në pjesën e gomës rezervë të veturës me targa të Kosovës, drejtuar nga shtetas i Kosovës, i regjistruar për të hyrë në vend në vendkalimin kufitar Bllacë", thuhet në kumtesë. 

Drejtoria e Doganave informon se Shërbimi i skanerit mobil, në ndarjen e jashtme të tërheqësit të kamionit gjeti katër turbo-kompresorë për vetura dhe kamionë. Produktet e padeklaruara janë zbuluar në një automjet me targa të Serbisë, i drejtuar nga një shtetas serb, i regjistruar për hyrje në vend në vendkalimin kufitar "Tabanoc".

Në një rast tjetër, shërbimi i skanerit mobil, gjatë kontrollit të një kamioni, në hapësirën për paleta, ka zbuluar 13 kimono karateje dhe 47 palë doreza boksi të cilat nuk ishin të deklaruara. Vepra është zbuluar në terminalin doganor në vendkalimin kufitar Tabanovc, ku janë konstatuar parregullsi gjatë skanimit të kamionit me targa të Maqedonisë së Veriut, pas së cilës është kontrolluar vetura. fc/

Fotografia: Drejtoria e Doganave
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR