• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Paraburgim për nënën e dyshuar për shkaktimin e zjarrit me qëllim që të fshehet vrasja mizore e bërë nga djali i saj

Paraburgim për nënën e dyshuar për shkaktimin e zjarrit me qëllim që të fshehet vrasja mizore e bërë nga djali i saj

Shkup, 1 tetor 2023 (MIA) - Paraburgim 30-ditor për nënën e të dyshuarit për vrasje në lagjen Hrom të Shkupit, e cila ka shkaktuar zjarr në banesën e 36-vjeçarit I.J. pasi djali i saj 39-vjeçar e ka kryer vrasjen. Nëna është privuar nga liria, ndërsa djali i saj është arratisur. 

PP informoi se Prokuroria Themelore Publike në Shkup vepron në bazë të padisë penale në lidhje me ngjarjen e 22 shtatorit, kur pas zjarrit të shkaktuar në një banesë në rrugën "Isaia Maxhovski", ishte gjetur trupi i pajetë i pronarit 36-vjeçar të banesës me gjurmë të dhunës.

"Provat e siguruara deri në këtë moment japin dyshim të arsyeshëm për një të dyshuar si autor i veprës penale të vrasjes në mënyrë brutale. I dyshuari e ka kryer veprën pas një debati të shkurtër me viktimën, duke e privuar nga jeta viktimën me më shumë se 45 plagë me thikë në qafë dhe trup", njoftojnë nga PP.

Pas ngjarjes, ai ka bërë disa telefonata me nënën e tij, e cila ka marrë një shishe plastike dhe ka shkuar në pompën më të afërt të benzinës, ka blerë një litër e gjysmë karburant dhe së bashku me djalin e saj i kanë vënë zjarrin me qëllim që të mbulojnë gjurmët e vrasjes mizore.

"Me zjarrvënien kanë shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e banorëve që banojnë në ndërtesë", thonë nga PP.

Kundër të dyshuarit i cili është i pakapshëm nga organet e rendit do të fillohet hetim për veprën penale - Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 1, si dhe për Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 paragrafi 1 lidhur me nenin 288 paragrafi 1 i Kodit Penal. Prokuroria do të propozojë për të masën e sigurisë paraburgimi pas gjetjes dhe privimit nga liria.

"Për nënën e tij 59-vjeçare, në cilësinë e bashkëkryerëse, ka filluar hetimi për Krimet e rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 paragrafi 1 në lidhje me nenin 288 paragrafi 1 të Kodit Penal. Ajo është privuar nga liria dhe me propozim të prokurorit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësinë e fshehjes apo asgjësimit të gjurmëve të veprës penale apo që ajo do të ndikojë ndaj dëshmitarëve", njoftojnë nga PP. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR