• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Paraburgim për katër personat e arrestuar në Strugë dhe Gostivar, të dyshuar për planifikim të ngjarjeve të cilat mund ta dëmtojnë sigurinë

Paraburgim për katër personat e arrestuar në Strugë dhe Gostivar, të dyshuar për planifikim të ngjarjeve të cilat mund ta dëmtojnë sigurinë

Shkup, 16 dhjetor 2024 (MIA) – Paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditëve u është caktuar katër personave të cilët ishin arrestuar në aksionin policor që dje në mëngjes ishte zhvilluar në Strugë dhe në Gostivar për shkak të dyshimit se kishin planifikuar që në të ardhmen të organizojnë ngjarje të caktuara të cilat mund ta rrezikojnë sigurinë si në Maqedoni, ashtu edhe në shtete të tjera. 

“Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masave për sigurimin e pranisë ndaj 4 personave, të dyshuar për veprën penale Organizata terroriste nga neni 394-a të KP, mori vendime me të cilat pranoi propozimin e PTHP NKOK dhe të katër personave të cilët sot në mëngjes ishin sjellë në gjykatë, caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, njofton sot Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Në bazë të vendimeve për paraburgim, sipas Gjykatës, ekzistojnë dyshime nga neni 165 paragrafi1 pika 1 dhe pika 2 gjegjësisht rrezik se të dyshuarit mund të arratisen dhe Rrezik që të njëjtët ta pengojnë hetimin me ndikim të dëshmitarëve, prandaj për këtë edhe është përcaktuar masa e paraburgimit. 

Nga Gjykata sqarojnë se kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese para Këshillit Gjyqësor. 

Dje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se janë arrestuar këto katër persona. 

“Ata, në bashkëpunim me persona që nuk ndodhen në territorin e Maqedonisë, monitorohen për një kohë të gjatë nga organet kompetente të sigurisë dhe në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë janë ndërmarrë veprime të koordinuara. Kemi shumë prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar në drejtim të organizimit të disa ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët do të mund të vepronin në drejtim të realizimit të qëllimeve të tyre”, tha Toshkovski.

Ai shtoi se vepra penale për të cilën është parashtruar padi është organizatë terroriste, ndërsa sa i përket motiveve kanë dyshime të bazuara se kanë lidhje me grupacione të caktuara të cilat janë në mbështetje të disa grupeve të caktuara ekstremiste dhe religjioze. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR