• e mërkurë, 04 dhjetor 2024

Panel - diskutim për Agjendën e reformave: Reformat funksionojnë vetëm kur lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve

Panel - diskutim për Agjendën e reformave: Reformat funksionojnë vetëm kur lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve

Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Reformat funksionojnë vetëm kur të lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve. Ato duhet të krijojnë institucione në të cilat njerëzit kanë besim, ekonomi që gjenerojnë mundësi dhe shoqëri që janë inkluzive dhe të drejta, porositi ministri i Çështjeve Evropiane dhe kryenegociator me BE-në, Orhan Murtezani, në panel diskutimin e sotëm të titulluar “Bashkëpunim i përforcuar në procesin e integrimit në BE përmes Agjendës Reformuese“.

Murtezani në panelin, i cili është ngjarje kombëtare e organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane - Shkup (EPI), kushtuar avancimit të dialogut për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, në fjalimin e tij hapës, theksoi rëndësinë e Agjendës së Reformave dhe mirëkuptimit të proceseve reformuese si nevojë politike, por edhe, thotë ai, si angazhim thellësisht personal.

“Reformat janë më shumë se një domosdoshmëri strategjike - ato janë një matës i pjekurisë sonë si shtet. Ato pasqyrojnë aftësinë tonë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, për të siguruar një menaxhim (qeverisje) demokratike efikase dhe transparente dhe për t’u demonstruar qytetarëve tanë se përpjekjet e përkushtuara sot çojnë në përparim të prekshëm dhe në një cilësi më të mirë jetese në të ardhmen”, theksoi Murtezani.

Agjenda Reformuese, sipas tij kërkon nga ne të merremi me dobësitë afatgjate në administratën tonë publike, në sistemin gjyqësorë dhe kornizat rregullatore. Por, theksoi ai,reformat nuk janë vetëm korrigjim i asaj që nuk funksionon. Ato përfaqësojnë ndërtimin e një kulture për llogaridhënieje dhe përgjegjësie, ku qeverisja (menaxhimi)  bazohet në besim, inkluzivitet dhe orientim drejt rezultateve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Ajo që e bën Planin e Rritjes veçanërisht të fuqishëm është funksioni i tij dyfishtë: Ai nxit zhvillimin ekonomik, ndërkohë që forcon dinamikën e procesit të aderimit. Për Maqedoninë e Veriut, kjo është veçanërisht e rëndësishme. Premtimi për prosperitet të përbashkët përmes integrimit të tregut përsosshmërisht përputhet me reformat që po i zbatojmë, nga modernizimi i infrastrukturës deri te krijimi i një mjedisi ku bizneset mund të zhvillohen. Por, do të doja të theksoj se: Plani i Rritjes nuk është një zëvendësim për reformat; ai është një katalizator për ndryshimet thelbësore më të thella dhe më të qëndrueshme”, theksoi Murtezani.

Për Maqedoninë e Veriut, thotë, sfida është t’i shndërrojmë këto plane ambicioze në realitet që do të kenë jehonë (ndikim) në çdo nivel. Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për avancimin e pavarësisë të sistemit gjyqësorë, përmirësimin e standarteve arsimore apo përforcimin e lidhshmërisë rajonale, çdo reformë duhet të tregohet si një hap drejt një të ardhmeje më të drejtë, më me prosperitet dhe më të sigurt.

“Prandaj, mendoj se reformat nuk janë  qëllim përfundimtar, ato janë një proces i vazhdueshëm. Ato kërkojnë durim, këmbëngulje dhe besim të fortë në fuqinë e ndryshimeve. Rruga e reformave nuk është lineare dhe as e lehtë dhe definitivisht nuk është pa momente frustrimi. Por, duhet vazhdimisht të kujtojmë pse po e ndjekim këtë rrugë. Po e bëjmë këtë sepse besojmë në qëllimin që Maqedonia e Veriut, jo vetëm që do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por,  edhe shtet që do të qëndron krenar mes fqinjëve të saj, e forcuar nga rruga e vështirë që ka kaluar dhe nga mësimet që ka mësuar”, thotë Murtezani.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane tha se bashkë me Ministrinë e Çështjeve Evropiane të mbështetur nga fondacionet e Shoqërisë së Hapur nga Ballkani Perëndimor, e fillojnë diskutimin për agjendën reformuese, e cila përfshin shumë faktorë. 

“Synimi ynë, së bashku me disa nga odat ekonomike, publikun akademik, si dhe publikun ekspert dhe ekspertët është të fillojmë diskutim se si do të ndiqet agjenda e reformës, si mund të përfshijmë në të faktorë të tjerë, sepse kjo është një instrument i ri i BE-së i cili zbatohet në shtetet anëtare sipas modaliteteve që janë të reja për rajonin aderues. Në fakt, kjo është ndoshta një nga ngjarjet e para publike ku presim që ministri i Çështjeve Evropiane të prezantojë postulatet kyçe, elementet kyçe të vetë agjendës, por sigurisht edhe sfidat që pasojnë në drejtim të zbatimit të saj” tha Kacarska. 

Agjenda vendos qëllime dhe indikatorë të qartë të cilat duhet t’i përmbushë shteti çdo gjashtë muaj të cilët do të jenë kyçë për pagesë nga ana e KE-së lidhur me mjetet nga Plani i rritjes. Gjithsesi ky është modalitet i ri më i ndryshëm nga ai që e kemi pasur më herët me instrumentin për ndihmë para anëtarësimit, theksoi Kacarska. fc/

Fotografia: MÇE

QËNDRONI TË LIDHUR