• e diel, 24 nëntor 2024

Pandovski: Çdo rezultat nën 50 pikë në Indeksin e perceptimit të korrupsionit tregon probleme serioze të korrupsionit në sektorin publik

Pandovski: Çdo rezultat nën 50 pikë në Indeksin e perceptimit të korrupsionit  tregon probleme serioze të korrupsionit në sektorin publik

Shkup, 30 janar 2024 (MIA) - Maqedonia e Veriut këtë vit ka një kërcim në pozitën e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK) për vitin 2023 dhe gjendet në vendin e 76-të me 42 pikë. Sipas metodologjisë së Transparensi Inrterneshënall çdo rezultat nën 50 pikë konsiderohet dështim në luftën kundër korrupsionit, pra se në shtet ka nivel të lartë të korrupsionit.

Kryetari i Transparensi Interneshënall - Maqedoni, Bllagoja Pandovski, duke i prezantuar rezultatet sot në konferencën për shtyp theksoi se përmirësimi i dy pikave në vendin tonë është për shkak të përmirësimit vetëm në hulumtimin e njërit prej burimeve, BTI, ndërsa gjithë të tjerat janë të pandryshuara.

"Megjithatë, këto dy pikë rezultuan me një kërcim në pozitën e Maqedonisë për nëntë vende më lart në tabelë, kështu që për dallim nga viti i kaluar kur ishim në vendin e 85-të, këtë vit jemi në pozitën e 76-të. Çdo rezultat nën 50 pikë sipas kritereve të IPK-së, në të cilin grup bën pjesë edhe Maqedonia, tregon për probleme serioze të korrupsionit në sektorin publik", tha Pandovski.

Qëndrimi i TI Maqedoni, theksoi Pandovski, është se korrupsioni ende është në një nivel shumë të lartë dhe se nuk ka përmirësim real në punë në pjesën më të madhe të institucioneve të cilat duhet të jenë në krye të luftës me korrupsionin.

"Gjyqësori dhe prokuroria publike, të cilat duhet të jenë subjektet udhëheqëse në luftën kundër korrupsionit, sërish sipas sondazheve të kryera vitin e kaluar, dhe lidhur me besimin e qytetarëve në punën e tyre, treguan përqindje shqetësuese të ulëta. Dhe përqindja tashmë e ulët e besimit prej katër përqind ra në një përqind, që është një tregues real se institucionet kryesore që duhet të zbatojnë ligjet dhe të përcaktojnë se çfarë është në përputhje me ligjin duhet të bëjnë një përmirësim të madh në punën e tyre. Po ashtu, kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, theksoi qartë se ka presione politike në organin më të lartë të drejtësisë në vend, gjë që është skandaloze dhe shkatërruese dhe është një tregues serioz i shkeljes së parimit të pavarësisë së gjyqësorit", tha Pandovski.

Për këtë, theksoi Pandovski, duhet shtuar se BE-ja ka kryer një mision vlerësues nga i cili ka rezultuar me 40 rekomandime për përmirësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, i cili duhet të jetë korrigjuesi kryesor i punës së gjyqtarëve në vend, si dhe pasojat e ndryshimeve ligjore në Kodin Penal që janë të pafavorshme sa i përket sanksioneve dhe luftës kundër korrupsionit.

Këto shembuj, sipas Pandovskit, janë vetëm një pjesë e imazhit negativ që shteti i merr nga aspekti i luftës kundër korrupsionit.

Në rajon, para nesh janë Sllovenia, Kroacia, Mali i zi dhe Bullgaria, pastaj jemi ne, ndërsa poshtë nesh janë Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.

Tema globale këtë vit, theksoi Pandovski, është korrupsioni dhe drejtësia, me theks të veçantë në punën e organeve gjyqësore dhe disponueshmërinë e drejtësisë për qytetarët.

Mesazhet kryesore nga IPK i sivjetëm, tha Pandovski, janë se ekziston një trend global i dobësimit të sistemeve të drejtësisë, e cila redukton përgjegjësinë për nëpunësit publikë, që mundëson korrupsioni të përparojë.

Si fragment të Raportit sa i përket Maqedonisë së Veriut, theksoi Pandovski, është vërejtja negative për ndryshimet në Kodin Penal nga shtatori i vitit 2023 me të cilat Kuvendi thuhet se e ka minuar dukshëm gjyqësorin.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është një indeks i përbërë, një kombinim i analizave dhe vlerësimeve të mbledhura nga disa institucione. Ai bazohet përgjithësisht në 13 burime të dhënash nga 12 institucione. Këtë vit, raporti për Maqedoninë e Veriut ka gjashtë burime, një më pak se vitin e kaluar, kur ishte i pranishëm edhe Forumi Ekonomik Botëror.

Rezultatet në krahasim me vitet e kaluara, siç sqaroi Pandovski, janë të njejta  te të gjithë vlerësuesit, përveç te Fondacioni Bretelsman, ku ka një kërcim prej tetë pikësh, por pse është kështu, duhet të presim raportin e plotë të fondacionit i cili duhet të publikohet  në mars të këtij viti. sa/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR